J.D. Vance paralajmëron kundër rregullimit të tepërt të IA
11 Shkurt 2025SHBA janë lider botëror në sektorin e inteligjencës artificiale dhe administrata e re dëshiron ta mbajë këtë vend, theksoi zëvendëspresidenti i SHBA J.D. Vance në Konferencën Ndërkombëtare të IA në Paris. Javët e fundit, programi kinez i IA Deepseek ka shkaktuar sensacion global sepse mund të rivalizojë produktet amerikane si ChatGPT në cilësi - për një pjesë të kostos dhe burimeve.
Guterres: Nga IA duhet të përfitojnë edhe vendet në zhvillim
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres ka bërë thirrje që nga IA të përfitojnë edhe vendet në zhvillim. Guterres tha gjithashtu në kryeqytetin francez se kjo teknologji solli me vete përgjegjësi të jashtëzakonshme. Kjo është aktualisht në duart e një grushti njerëzish. Disa grupe dhe vende po e çojnë përpara zhvillimin e IA me investime të paprecedenta, ndërkohë që shumica e vendeve në zhvillim janë lënë pas. Antonio Guterres theksoi rrezikun e rritjes së hendekut me vendet e industrializuara. IA duhet të përshpejtojë zhvillimin e qëndrueshëm – jo pabarazitë.
Von der Leyen flet për fonde të tjera të BE
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen prezantoi në konferencë elementë të një strategjie evropiane . Ajo tha se IA do të përmirësonte kujdesin shëndetësor, do të nxiste kërkimin dhe inovacionin dhe do të rriste konkurrencën. Ajo njoftoi se nisma e BE-së InvestAI do të shtohet me 50 miliardë euro. Konkretisht, do të ketë një fond të ri evropian prej 20 miliardë eurosh për fabrikat e mëdha të IA. Këto fabrika, për shembull, duhet të trajnojnë modele të IA dhe të ofrojnë infrastrukturën e nevojshme. Sipas Komisionit Evropian, fabrikat e mbështetura përbëjnë partneritetin më të madh publik-privat në botë për zhvillimin e inteligjencës artificiale të besueshme.
Që nga dita e djeshme, konferenca e Parisit po shqyrton mundësitë dhe rreziqet e inteligjencës artificiale. Synimi është mobilizimi i investimeve në IA në vlerë prej 200 miliardë eurosh.
aud (ag,dlf)