Zgjedhjet në Rumani: Kryeson populisti i djathtë
4 Maj 2025Fituesi i garës për presidentin e vendit në Rumani me sa duket do të merret vesh pas raundit të balotazhit që do të zhvillohet pas dy javësh. Sipas sondazheve pas mbylljes së qendrave të votimit duket se asnjë nga kandidatët nuk arriti ta fitonte shumicën absolute në raundin e parë të votimit. Gjithësesi duket se euroskeptiktu George Simion ka fituar 30 deri në 33 përqind të votave. 38-vjeçari George Simion është kryetari i partisë nacionaliste të djathtë AUR, parti e ekstremit të djathtë.
Ai ndiqet në një garë kokë më kokë nga rivalët e tij të moderuar pro-evropianë, ish-senatori Crin Antonescu dhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit Bukuresht, Nicusor Dan, me rreth 21 deri në 23 përqind të votave.
Kadidatët që do të renditen në dy vendet e para do të garojnë përsëri më 18 maj.
Anulimi i zgjedhjeve presidenciale 2024
Rumania gjendet prej muajsh në krizë politike pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale në nëntor të vitit të kaluar. Zgjedhjet presidenciale në nëntor 2024 i fitoi çuditërisht që në raundin e parë miku i Kremlinit, ekstremist i djathtë Calin Georgescu.
Por Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e shpalli rezultatin të pavlefshëm ndër të tjera për shkak të parregullsive në financimin e fushatës dhe të dyshimeve për ndërhyrje ruse. Gjykata gjithashtu ia ndaloi Georgeskut të kandidojë përsëri për president. Që nga fundi i shkurtit 2025 ai është nën hetim nga prokuroria.