Zbutet stuhia e borës në SHBA
11 Shkurt 2013Ende përplaset borë në bregdetin verilindor të SHBA, por më e keqja u përballua. Mbi Massachusets tani ndodhen gjurmë e fundit të stuhisë së borës, ndërsa qendra e saj ndodhet prej kohësh qindra kilometra mbi Atlantik. Meterologët në televizionin e SHBA ndahen nga fenomeni natyror me emrin Nemo:
"Connecticut është mbajtësi i rekordit në këtë fundjavë me furtunë, rreth 1 metër e lartë është mbulesa e dëborës masive. Pati periudha kohe, kur ra 12 centimetra borë e re në orë. Në Boston pati edhe furtuna ere me forcën e uraganëve, prandaj u ndalua udhëtimi me automjete në disa shtete, madje në Massachusets udhëtimi me makinë dënohej me burg. Dhe megjithatë jo të gjithë iu përmbajtën ndalimit. Shumë vetë vdiqën në aksidentet automobilistike dhe të tjerëve iu desh ta kalojnë natën në automjetet e tyre të bllokuara.
Në Boston një djalë 11 vjeçar vdiq nga helmimi me monoksid karboni, kur po ngrohej në një veturë me motor në punë. Në kohën, kur babai po e nxirrte nga bora automjetin e bllokuar, djali ngrohej brenda. Por duke qenë se tubi i shkarkimit të gazrave qe bllokuar nga bora, gazrat u futën brenda në automjet.
Rikthehet për shumë familje energjia elektrike
Ndërkohë, sipërmarrjet e energjisë arritën të rivendosin furnizimin me energji për rreth 10.000 familje. Por rreth 600.000 klientë vazhdojnë të mbeten pa elektricitet dhe kjo do të thotë që ata nuk kanë as ngrohje. Megjithatë në fundjavë shumë amerikanë nuk patën frikë nga bora. Me ski dhë këpucë bore ata ecën në rrugët e mbuluara, ose shëtisnin me slita në peizazhin e bardhë të dimrit.
Veçanërisht rëndë stuhia e dëborës preku banorët e bregdetit. Shumë shtëpi u mbuluan nga uji. Disa rajone u desh të evakuoen. Por në përgjithësi, menaxhimi i situatës së katastrofës funksionoi mirë në shtetet federale, para së gjithash në sajë të parashikimeve të sakta të motit. Hapi, që duhet të pasojë tani, është rinisja nga puna e postës, hekurudhave dhe aeroporteve, ku u anulluan rreth 5000 fluturime. Dhe ata, që shkojnë në punë të hënën, kanë nevojë për rrugë të pastra nga bora.
Autor: Timo Fuchs/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica