Vlladimir Putin, cari në Kremlin para rizgjedhjes së tij në postin e presidentit të Rusisë
12 Mars 2004
Kremlini duke përfshirë këtu edhe funksionet e larta shtetërore
kontrollon institucionet dhe sferat tjera të jetës shoqërore.
Zgjedhjet e të dielës së ardhshme nuk do të jenë aq atraktive sa paraqitja e parë e presidentit të tanishëm Vlladimir Putin, në ndërrimin e moteve të viteve 1999/2000. Në këtë kohë presidenti i atëherëshëm Jelcin e emëroi ish-shefin e shërbimit sekret rus dhe ish-kryeminstrin Putin për pasardhës të tij. Ai nga një njeri pa emër për disa muaj u shndërrua në një yll politik. Që para zgjedhjeve presidenciale, ishte e ditur se asnjë kandidat nuk kishte gjasa për ta mposhtur. Në mars të vitit 2000 ai fitoi këtë garë me 52,9 përqind të votave. Ishte kjo një fitore impresionuese për politikanin, i cili në skenë ishte paraqitur vetëm dy vite më parë.
Pas përfundimit të fakultetit juridik, Putin ka punuar për 17 vjet në shërbimin sekret rus, KGB, ndërsa prej vitit 1985 deri 1990 ishte stacionuar si agjent në Gjermaninë Lindore. Pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, Putin punoi në këshillin bashkiak të Anatoli Sobçak, në Shën Petersburg. Vetëm për tre vjet ai mbërriti deri tek posti i kryeministrit të këtij vendi. Po cili ishte sfondi i përparimit të tij?
Fillimisht, 47 vjeçari ishte një kandidat i preferuar nga ish-presidenti Boris Jelcin dhe lobi i tij ekonomik. Putin ishte ana tjetër e medaljes e një Jelcini të sëmurë. Putin ishte i ri, i shëndoshë dhe sportiv. Kjo ia lehtësonte prezentimin e tij politik.
Pjesa e dytë e recetës së suksesit ishte krijuar gjatë një fushate imazhi, të financuar nga lobi ekonomik i Kremlinit. Mbrëmjet e diskove që organizoheshin ne provincat ruse, shndërroheshin në fushatë zgjedhore pro Putinit.
Në fushatën e tanishme ai s'ka nevojë për manifestime të këtilla. Putin është prezent në të gjitha mediat. Personaliteti i tij është një kult me të cilin identifikohen të gjitha cilësitë sovjetike.
Sipas sondazheve të vitit 2000, vetëm 13 përqind e popullatës ruse synonin institucione të forta demokratike, derisa 71 përqind mendonin se vendin duhet ta udhëheqë një lider i fortë. Më shumë se gjysma (59 përqind) e dëshironin vendin e tyre si të fortë dhe stabil.
Në zgjedhjet e së dielës Putin mund të llogarisë madje me 80 përqind të votave. Anketat i japin Putinit të drejtë. Edhe më tej dy të tretat e rusëve besojnë se Putin ka shënuar më shumë fitore se humbje dhe se qytetarët nuk kanë shkas për dëshprime. Para katër viteve, Putin nuk përgjigjej saktë në pyetjet që kishin të bëjnë me programin e tij politik, ndërkohë që ai as sot nuk i përgjigjet kërkesave për debate televizive me kundërkandidatët e tij në zgjedhjet presidenciale. Në radhë të parë ai thekson arritjet e tija në fushën ekonomike:
"Me kënaqësi mund të thuhet se qëllimet tona të cilat i kemi planifikuar do të realizohen. Po tregohet gjithnjë e më qartë se është arritur qëllimi që brenda dhjetë vjetësh të shënohet dyfishimi i prodhimit bruto të vendit. Dua të theksojë se tempoja e zhvillimit nuk duhet të ndalet", ka thënë për televionin rus, presidenti i Rusisë, Putin.
Në mandatin e tij Putin ia doli që të perfeksionojë imazhin e një politikani të pastër dhe me dorë të fortë. Në një farë mase ai është kandidat i secilit. Komunistët e konsiderojnë këtë ish bashkëpuntorë të KGB për patriot, nacionalistët përshëndesin politikën e tij ndaj Çeçenisë, majtistët kthimin e ritualeve dhe traditës së kohës sovjetike, ndërsa ekonomistët përshëndesin luftën e shpallur kundër korrupsionit, që është edhe një prej elementëve të rëndësishme në fushatën e Putinit.
Problemet më të mëdha në sferën e korrupsionit janë ato mbi të drejtën e banesave, pensioneve dhe migracionit. Vitin e kalaur prokuroria është ndeshur me qindra-mijëra raste të këtilla. Masat që duhet të ndërmerrën kundër korrupsionit duhet të jenë profesionale dhe efikase.
Sistemit politik të profiluar nga Putini i janë dhënë emra të ndryshëm. Fjala është për një pseudodemokraci, demokraci te dirigjuar ose siç e quan edhe vet Putin, "diktaturë ligjesh".
Në brendinë e teknokratit të zellshëm dhe njeriut të sigurimit sekret shtetëror është ndërtuar një shtet presidencial me veti autoritative dhe me shumë përvetësime sovjetike. Mirëpo mungesa e një ideologjie shtetërore e dallon atë nga diktatura sovjetike.