Vizita e parë në Athinë e kancelares Merkel
20 Korrik 2007Eshtë hera e parë, që Angela Merkeli në funksionin e kancelares udhëton për në Athinë. Vizita është mjaft e shkurtër vetëm një gjysmë dite, por ajo ka një rëndësi të veçantë. Sepse kryeministrja do t´i shprehë mirënjohjen Greqisë për mbështetjen e Athinës, si një faktor i rëndësishëm stabiliteti gjatë presidencës gjermane në BE. Përveç kësaj gjatë vizitës së sotme (20.07) do të bisedohet edhe për bashkëpunimin në fushën e armatimit. Konkretisht bëhet fjalë për krijimin e një Eurofighter-i eventualisht madje edhe për nëndetëse gjermane për ushtrinë greke.
Në axhendën e bisedimeve gjithashtu duhet të jenë edhe raportet mes BE-së dhe Turqisë, ku të dielën (22..07) zgjidhet parlamenti i ri, si dhe problemi deri tani i pazgjidhur i Qipros. Në këtë pikë pritet të dalin në pah pikëpamjet kontradiktore, sepse kryeministri Kostas Karamanlis deri më tani, edhe pse është kryetar i një partie konservatore si ajo e Merkelit, ndryshe nga kancelarja, e preferon anëtarësimin e Ankarasë në BE.
Pas takimit me kryeministrin Karamanlis, që është i pari në programin e vizitës, Merkeli do të mbajë një fjalim në dhomën gjermano-greke të tregtisë, përpara se në mbyllje të vizitës të takojë presidentin Karolos Papulias.
Krahas këtyre çështjeve zyrtare, kancelarja do të kujdeset edhe për dy tema të tjera në Greqi. E para ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit dhe burimet e energjive të rigjenerueshme. Në këtë fushë firmat gjermane mund të ofrojnë investime joshëse. Ndërsa tema e dytë, siç thuhet, ka të bëjë me rolin e Greqisë në kuadër të furnizimit evropian me energji. Athina në pranverë ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë dhe me Bullgarinë për ndërtimin e një linje naftësjellësi nga deti i Zi për në Egje.
Gjithashtu kontaktet greke me Turqinë mund të luajnë një rol. Turqia po bëhet një vend gjithnjë e më i rëndësishëm tranziti për energjinë dhe këtë javë është nënshkruar një marrëveshje e madhe për gazin natyror me Iranin. Kjo kontratë është pjesë e projektit disa miliardësh Nabucco, përmes të cilit gazi natyror nga deti Kaspik dhe Irani, duke anashkaluar Rusinë, mund të sillet në Evropën Perëndimore.