Vetëkritikikë e fuqishme e ministrit amerikan të mbrojtjes
8 Maj 2004Për disa shikues të pranishëm në sallë çështja ishte e qartë: Donald Rumsfeld është sipas tyre kriminel lufte. Përballë përmasave të këtij skandali vetë ministri i diskutueshëm i mbrojtjes u ndje i detyruar të kërkonte falje:
"Ndjehem tmerrësisht keq prej asaj që iu është bërë të burgosurve në Irak. Ata janë njerëz, gjendeshin nën mbikqyrjen tonë. Vendi ynë kishte detyrimin për t’i trajtuar ata me dinjitet. Këtë nuk e kemi bërë dhe ishte e gabuar."
Rumsfeld pranoi të ketë nënvlerësuar përmasat e ngjarjeve në burgun Abu Gharib. Duke iu drejtuar Kongresit, presidentit dhe popullit amerikan ai tha:
"Uroja t’ua kisha përcjellë ju seriozitetin e incidentit, përpara sesa t’i mësonim të gjitha nëpërmjet medieve."
Rumsfeld u shpreh për dëmshpërblimin e të burgosurve të prekur dhe i përgatiti anëtarët e kongresit për zbulime të reja. Ka mjaft fotografi ende të papublikuara e madje edhe regjistrime filmike. I pyetur nëse përballë humbjes dramatike të besimit të SHBA-ës veçanërisht në botën arabe nuk duhet të jepte dorëheqjen, Rumsfeld u përgjigj:
"Që prej prekjes nga ky shpërthim kam menduar shpesh për këtë. Natyrisht që do të jepja dorëheqjen në rast se nuk do të isha më i aftë të veproja politikisht, por nuk e jap dorëheqjen për arsye të një fushate politike."
Pardje presidenti George W. Bush kishte dalë dukshëm në mbrojtje të ministrit të tij të mbrojtjes. Megjithatë dje shumë deputetë demokratë dhe edhe gazeta e respektuar "New York Times" kërkuan dorëheqjen e Rumsfeldit. Rumsfeld konsiderohet arkitekti i politikës amerikane për Irakun.
Të shumtë janë ata që shohin tek Rumsfeldi frymëzuesin mendor të asaj politike që bëri të mundur klimën e përshtatshme për keqtrajtime të tilla të të burgosurve. Ivo Daalder, ish-anëtar i këshillit të sigurimit të SHBA-ës dhe sot ekspert për mbrojtjen në institutin Brookings tha:
"Diçka e tillë ishte e mundur të ndodhte vetëm një klimë kur disa mund të pretendojnë se këta njerëz vlejnë më pak sesa jeta e njeriut."