Universitet për prodhimin e birrës në Gjermani - Degët studimore mjaft të kërkuara në botë
6 Shtator 2010Kaian Hoi është njëra ndër femrat e pakta që studion mënyrën e prodhimit të birrës dhe teknologjinë e pijeve në Vaihenstefan. Portugezja e lindur në Makao do të dëshironte që në vendin e paraardhësve të saj, në Kinë të ngrejë një perandori birre. Mirëpo fillimisht asaj i duhet të përfundojë studimet. Kaian e di se çfarë dëshiron nga studimet ndryshe nga shumica prej kolegëve të saj, të cilët gjatë studimit mendojnë vetëm për shijimin e birrës.
Studimi nënvlerësohet
Kaian kritikon faktin që shumë studentë e nënvlerësojnë këtë studim. "Ka drejtime të ndryshme të shkences dhe shumë herë, njeriu tregon shpesh aftësitë më shumë vetëm në njërin drejtim", thotë ajo. Me njohuritë e saj në kimi, matematikë dhe në fizikë, Kaian ju ndihmon edhe kolegëve-meshkuj. Ligjëratat ajo i ndjek në institutin, i cili ngrihet në rrëzë të malit Vaihenstefan, ndërsa për pjesën praktike duhet të ngjitet majave. Këtu ndodhet laboratori eksperimentues i birrës së katedrës „Prodhimi i birrës dhe teknologjia e pijeve“, ku Kaian që studion në semestrin e katërt nuk ka kaluar shumë kohë.
Nga mjeshtër pijesh në inxhinier
Prodhimi i birrës është një zeje tradicionale. Por në Gjermani prodhimi i birrës mund të studiohet edhe në universitet, gjegjësisht në Fraising-Veihenstefan në qendrën studimore të Universitetit të Teknologjisë në Mynih, si edhe në Universitetin Teknologjik në Berlin.
Frank-Jürgen Methner, profesor për teknologjinë e prodhimit të birrës në Universitetin e Berlinit thotë se është pikërisht zhvillimi i teknologjisë së prodhimit të birrës, që ka ndikuar që zeja e prodhimit të birrës të shndërrohet në një drejtim studimi inxhinierik dhe shkencor. Kjo degë fakulteti është interesante edhe për studentët e vendeve të tjera. "Studimi është shumë më thelbësor dhe më i qëndrueshëm se sa në vendet e tjera, prandaj inxhinierët tanë në praktikë mund të orientohen shumë mirë“, thekson Methner. Për shkak të kërkesave të shumta në Berlin numri i studentëve që hyjnë në këtë fakultet është i kufizuar. Në Vaihenstefan ndërkohë nuk ka ndonjë kufizim në pranimin e studentëve.
Si bëhet pija e ftohtë nga birra e ngrohtë
Gjatë prodhimit birra para ftohjes ngrohet deri në 70 gradë. Kazanët e bakrit në Vaihenstefan e kanë diametrin prej gjysmë metri dhe mbajnë rreth 800 litra. Në krahasim me pajisjet normale për prodhimin e birrës, kazanët e provave janë shumë të vegjël. „Ne jemi vetëm fabrikë testuese e birrës“, thotë mjeshtri i birrës, Hannes Kolb. Kjo birrë i përmbahet receptit të pastër të birrës gjermane. Por poashtu në këtë fabrikë edhe mund të eksperimentohet. Ky është avantazhi, kur punon për një katedër, është i mendimit Kolb.
Edhe profesor Frank-Jürgen Methner në Berlin nuk mban leksione vetëm për prodhimin e birrës së pastër gjermane. "Me globalizimin në rritje, i cili nuk kalon pa vënë re edhe në industrinë gjermane të prodhimit të birrës, duhet që të përgatisim studentët tanë se si të përdorin edhe farërat e tjera për të prodhuar birrë të kualitetit të lartë“-thotë profesori.
Perandoria e birres ne Kine - A mund të bëjë konkurrencë Birra-Hoi?
Nëse do ta respektojë në mënyrë strikte ofertën e pastër të birrës së Bajernit, Kaian Hoi këtë nuk e di. Por, për pijen e elbit ajo tashmë ka gjetur një emër të mirë. "Emri i familjes sime është Hoi, prandaj mendova që birra mund të quhej Birra-Hoi. Ky emër mund të shqiptohet lehtë edhe kur je i dehur“, buzëqesh 21 vjeçarja.
Kaian është e kënaqur me studimet e saj, po mos të ishin të përpjetat dhe të tatëpjetat e largëta në mes dy instituteve. "Kjo është vërtet rraskapitëse, sidomos në verë kur temperatura është 30 gradë“, thotë ajo. Prandaj Kaian është e mendimit se këshilla për universitetin e Vaihenstefanit do të ishte „që të çahet mali“.
Autor: Hüseyin Ince/Ajete Beqiraj
Redaktoi: Lindita Arapi