Unanimitet për zgjidhjen me dy shtete - Takimi Merkel Abaz në Berlin
23 Shkurt 2007Ky takim ndonëse u mbyll pa rezultatet konkrete, arriti në konkluzionin, që shtetet arabe në të ardhmen duhet të involvohen me shumë në këtë proces. Të premten më 23 shkurt kancelarja Angela Merkel priti në Berlin presidentin palestinez Mahmud Abaz. Vetëm zgjidhja me dy shtete mund të sjellë paqen në Lindjen e Mesme për këtë ishin të një mendimi kancelarja Merkel dhe presidenti palestinez Abaz.
"Synimi është zgjidhja me dy shtete, ku edhe Izraeli të mund të jetojë i sigurtë, edhe palestinezët të mund të kenë shpresë për paqe dhe zhvillim ekonomik. Deri atëherë ka shumë për të bërë", tha Merkel.
Hapi tjetër që duhet bërë është krijimi i një qeverie të re palestineze të përbërë nga lëvzija radikal-islamike Hamas dhe lëvizja e moderuar Fatah nën presidientin Abaz. Merkel përsëriti kërkesat e kuartetit të Lindjes së Mesme, që kjo qeveri të njohë të drejtën e ekzistencës për Izraelin dhe të pranojë të gjitha marrëveshjet e deritanishme ndërkombëtare mes palestinezëve dhe Izraelit.
Abazi shpreson, që krijimi i qeverisë me Hamasin do të mund t´i nxjerrë nga qorrsokaku bisedimet me Izraelin: "qëndrimi ynë është: ne duam të fillojmë së shpejti me bisedimet mbi statusin përfundimtar, sepse kjo është e drejtë ndërkombëtare. Ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak nga ajo që është përcaktuar në planin ndërkombëtar të paqes, harta e rrugës: kjo do të thotë zgjidhje me dy shtete, fund i pushtimeve të vitit 1967 dhe zgjidhja e problemit të refugjatëve. Të gjitha këto janë detyrime për ne. Për këtë do të bisedojmë dhe këto janë parimet dhe kushtet tona", theksoi Abaz.
Si kancelarja ashtu edhe Abazi folën për lirimin e ushtarit izraelit Gilad Schalit të rrëmbyer në verë. Abazi nga ana e tij shfaqi shpresën, se do të hiqet së shpejti bojkoti i BE-së për ndihmën financiare për qeverinë palestineze.