Ukraina pas zgjedhjeve më e përçarë se kurrë
2 Tetor 2007Pas zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë është e qartë vetëm një gjë. Ndryshe nga ç'pritej partia e kryeminstrit Janukoviç ka fituar numrin më të madh të votave. Dhe ndërsa ende nuk dihet nëse në zgjedhje ka pasur manipulime dhe falsifikime, një gjë duket e sigurt, gara kokë më kokë e dy koalicioneve të mundshme varet tani prej votave që kanë marrë partitë e vogla. Deri tani lidhja pro-perendimore e partisë Ukraina Jonë e presidentit Viktor Jushçenko me bllokun e ish-kryeministres Julia Timoshenko ka pak më tepër vota sesa koalicioni i mundshëm nën drejtimin e kryeministrit pro-rus Viktor Janukoviç.
Julia Timoshenko nuk është përfshirë nga deziluzionimi
Edhe pse shpresat për një fitore të qartë të partive me orientim demokratik dhe pro-perëndimor thuajse u shuan, kampi i Julia Timoshenkos nuk është përfshirë nga ndenja e deziluzionimit. Sipas saj nga zgjedhjet në Ukrainë kanë dalë shumë fitues, por ajo megjithatë pret që të fillojë të merret me krijimin e qeverisë. Nga ana tjetër kundërshtari i saj Viktor Janukoviç, kryetari i 'Partisë së Rajoneve', e cila fitoi shumicën e votave doli në Maidan, sikurse quhet sheshi i pavarësisë në Kiev dhe deklaroi përapara rreth 3.000 ithtarëve të vet: 'Për herë të parë në historinë e Ukrainës populli mbështeti partinë që është në pushtet. Unë jam i bindur se ne do të krijojmë sërish qeverinë, një qeveri që ka besimin e popullit dhe synon unitetin kombëtar."
Janukoviçi ka nevojë për partnerë koalicioni
Megjithë optimizmin dhe besimin pas zgjedhjeve ka edhe disa gjëra që për momentin nuk parashikohen dot. Janukoviçi ka nevojë për partnerë koalicioni. Si të tillë vijnë në konsideratë socialistët dhe komunistët, me të cilat partia e tij kishte bashkëqeverisur gjatë legjislaturës së fundit. Por Janukoviçi ka nevojë edhe për votat e partisë së Vladimir Litvinit, e cila hyn për herë të parë në parlament. Kjo parti është më e prirur ndaj Janukoviçit se sa ndaj Julia Timoshenkos, megjithatë zëdhënësi i kësaj partie u shpreh se partia e tij është e hapur për të gjitha mundësitë: 'Ne do të bashkëpunojmë me ata që pranojnë programin dhe qëllimet tona. Për këtë ne do të hyjmë në bisedime si me Julia Timoshenkon edhe me Viktor Janukoviçin. Mundësia e bashkëpunimit është e hapur për të gjithë .'
Zgjedhjet varen nga Litvini
Në këtë mënyrë Vladimir Litvin, i cili kishte qenë kryetar i parlamentit në kohën e ish-presidentit Kuçmar, është kthyer në figurë përcaktuese të zgjedhjeve. Në rast se ai bashkohet me kampin portokalli atëherë forcat reformatore do të kishin shumicën në parlament, në rastin e kundërt këtë shumicë do ta kishte Janukoviçi.
Pra gjithçka mbetet ende e hapur, sepse Julia Timoshenko si dhe presidenti Jushçenko nuk e kanë dhe vazhdojnë të mos e fshehin antipatinë për Litvinin. Për këtë edhe mundësia e një koalicioni me të vështirë se mund të realizohet, aq më tepër që Litvini kërkon postin e kryetarit të parlamentit.
Ndryshimet e Ukrainës jo të mëdha
E pra zgjedhësve në Ukrainë sot u mbetet të fërkojnë sytë me hapi, sepse me gjithë deklaratat e dy fituesve të mundshëm, në thelb në Ukrainë nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe, sepse zgjedhjet e parakohshme nuk arritën ta zgjidhnin krizën politike në vend. Ukraina është më e përçarë se kurrë.