Ukraina e ka patur gjithmonë të vështirë të gjejë rrugën drejt demokracisë
4 Prill 2007Analistët pyesin për atë që pret të arrijë blloku i "revolucionit të portokalltë" me zgjedhje të reja, kur në sondazhe ky bllok rezulton i dobësuar.
Për gjendjen në Ukrainë, në gazetën DIE WELT ndër të tjera lexojmë:
"Vendi me 47 milionë banorë midis Danubit dhe Donit e ka pasur gjithmonë të vështirë me gjetjen e rrugës drejt demokracisë. Në vitin 1991, me fundin e Bashkimit Sovjetik u lirua për herë të parë në historinë e tij në një pavarësi të gjatë dhe paqësore. Nën presidentin Leonid Kuçma, prej vitit 1994-2004 Ukraina përjetoi gjithnjë e më shumë një fazë ngurtësimi. Pakënaqësia për stanjacionin, sundimin oligarkik dhe falsifikimin e zgjedhjeve u shkarkua më 2004 në revolucionin e portokalltë. Njeri Viktor, Jushçenkoja fitoi në përsëritjen e zgjedhjeve ndaj Viktorit tjetër, Janukoviçit. Por që më 2006, Janukoviçi arriti një fitore mbi kampin e portokalltë të përfshirë nga grindjet, duke e bërë rivalin e tij ta emërojë kryeministër"
Dhe më poshtë në gazetën DIE WELT konkludohet:
"Nëse më 27 maj do të zgjidhet me të vërtetë një parlament i ri, siç e ka kërkuar këtë presidenti, Janukoviçi mund të ketë karta më të mira. Por që ai të jetë fitimtari i zgjedhjeve eventuale të reja, kjo nuk është e vendosur. Sondazhet e shohin kryeministrin pas një shtimi të popullaritetit sërish pranë rezultatit të vitit 2006 (32 përqind). Julia Timoshenko, ikona e revolucionit dhe blloku i saj nuk mendohet se do të marrin shumë më tepër se rezultati i mëparshëm prej 22 përqind. Vetëm partia pranë presidentit, "UKRAINA JONË" mendohet të bjerë nga 15 përqin në një nivel njëshifror"
Ndërsa në gazetën VOLKSSTIMME që del në Magdeburg ndër të tjera vërehet:
"Meqenëse atë po e tradhëtojnë pak nga pak deputetët e tij, duke bërë që pushteti i presidentit të Ukrainës të minohet kështu gradualisht, presidenti Jushçenko shpërndan parlamentin. Një veprim të tillë mund ta quash edhe grusht shteti. Presidenti dhe kryetari i qeverisë e zhvillojnë për variacion ndeshjen e tyre për pushtet fare hapur. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për më tepër Rusi apo për më tepër BE. Ashtu si presidenti, edhe kryeministri i Ukrainës është shprehur për një anëtarësim të Ukrainës në BE. Kjo ndeshje është luftë për pushtet midis grupeve ukrainase të oligarkisë. Heroi i dikurshëm i revolucionit Jushçenko nuk duket të ketë karta të mira, Janukoviçi paraqitet më mirë. Si personi i tretë që vëzhgon me buzëqeshje luftën konsiderohet që tani zonja Timoshenko, ikona e revolucionit të vitit 2004, tek e cila i kanë varur tani shpresat shumë ukrainas. Janë shpresa, të cilat nuk i plotëson lufta për pushtet e treshes ballore të politikanëve ukrainas, por i bën të shuhen."
Ja edhe analisti i BERLINER ZEITUNG:
"Ukraina është i pari vend postsovjetik, në të cilin pozicioni i presidentit është dobësuar në dobi të parlamentit. Kryeministri dhe shumica e anëtarëve të kabinetit zgjidhen nga parlamenti në zgjedhje të lira. Sipas dëshirës së Janukoviçit, edhe presidenti në të ardhmen mund të mos zgjidhet më në zgjedhje të drejtpërdrejta, por të caktohet nga parlamenti. Pra presidenti dhe parlamenti kërcënojnë njëri-tjetrin me heqje të fuqive. Jushçenkoja e akuzon kundërshtarin e tij fare hapur se vepron me mbështetjen e Rusisë, se synon ta fitojë kontrollin e humbur me ndihmën e shtetit fqinj. Presidenti nuk është paralajmërues i vetmuar. Janukoviçi vepron si lobiist për sipërmarrje ruse, paralajmërojnë vëzhguesit. Kundërshtarët nuk mund të pajtohen me njëri-tjetrin, konflikti është i pazgjidhshëm. Numërimi deri në përfundim të shfaqjes bëhet në rrugë."
Së fundi MANHEIMER MORGEN, e cila është më pesimiste:
"Krizë në Kiev. Presidenti Viktor Jushçenko arriti që brenda një kohë shumë të shkurtër të shndërrohet nga hero i revolucionit të portokalltë në një figurë të trishtueshme në lojën politike të shahut. Përpjekja e tij, për ta nxjerë jashtë loje kryeministrin më parë të padashur, por tani të vlerësuar në popull, Janukoviç, nuk duket se do të funksionojë. Që tani ukrainasit thërrasin për atë që u duket si medikament që i shëron të gjitha: zgjedhje të reja. Shumë i kanë varur shpresat në këtë kuadër tek Julia e bukur, e cila të tërheq vëmendjen para së gjithash me flokët e saj të praruara bjonde. Politikisht megjithatë Timoshenkoja nuk ka bërë përpjekje shumë të mëdha kohët e fundit. Përse atëherë zgjedhje të reja? "