Të shkruash në një botë pa paqe
27 Maj 2006Shoqata ndërkombëtare e autorëve PEN është mbledhur këto ditë në Berlin. Motoja e kongresit titullohet „Të shkruash në një botë pa paqe“, besnike e kartës së klubit PEN ndër pikat më të rëndësishme të së cilës është angazhimi për paqe. Një organizatë bijëz e PEN-it kujdeset që nga viti 1984 pikërisht për këtë temë: Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe. Selia e Komitetit është në qytetit slloven Bled. Vec kësaj „shkrimtarët për paqe mblidhen cdo vit në takimet ndërkombëtare të klubit PEN kështu si këto ditë në Berlin.
Deri tani opinioni publik nuk di shumë për Komitetin e Shkrimtarëve për Paqe. Shpesh puna e tij është e padukshme dhe nuk bën për titujt kryesorë të gazetave. Në shumë raste bëhet fjalë për punë të thjeshtë me komunitetin në rajonet e krizave, për arsim, shkëmbime intelektuale, ndihma materiale për autorët. Gisela Kraft, e deleguara gjermane pranë shkrimtarëve për paqe: "Arsyeja është natyrisht që letërsia dhe në përgjithësi kultura mund të lindë vetëm në paqe dhe ky është edhe interesi ynë, pra jo akti politik por krijimi i një baze të përshtatshme për të krijuar kulturë dhe për ta rinovuar atë vazhdimisht, dhe kjo është e mundur vetëm në paqe. "
Një përvojë kjo që dekadat e kaluara e kanë patur shpesh auttorët në ish-Jugosllavi: lufta këtu u bë një kërcënim për kulturën në të gjithë rajonin. Slloveni Veno Taufer është prej gjashtë vjetësh presidenti i komitetit dhe është angazhuar atje qysh gjatë luftës në Ballkan. Ai kujtohet, citat: “Qendra sllovene e klubit PEN ishte një shtab i përgjithshëm për të ndihmuar autorët nga Bosnja, Kroacia, Serbia. U siguronim atyre viza për tu larguar nga vendi. Pavarësisht nga kombësia të gjithë kemi ndihmuar, kemi futur ilegalisht para në Sarajevë, kemi dhënë aty bursa dhe kemi gjetur vende strehimi për ta në perëndim apo në Slloveni“ fund i citatit.
Ndërkohë ndihma në raste krizash është shndëruar në një sfidë në të gjithë globi. Një punë e mundimshme për autorët e të cilëve në shumicën e rasteve u mbetet vetëm politika e hapave të vegjël. Gisela Kraft: Në Gjermani organizojnë edhe aktivitete informuese por ne jemi shkrimtarë dhe kur unë pregatis një program të tillë atëherë dua të tregoj se çfarë kulture ka p.s.h në Irak, cfarë rrezikohet atje nga lufta. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për luftë, kjo është dicka e mërzitshme por për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si: çfarë duhet mbrojtur atje, është pra më shumë një gjest pozitiv.“
Kështu mund të arrihet një publik i kufizuar. Por për shkrimtarët për paqe po kaq i rëndësishëm është shkëmbimi mes tyre në një ambient të mbrojtur. Një pjesë e tyre vijnë nga rajone tepër shpërthyese ku kontaktet e pakushtëzuara nuk janë të mundura. Për shembull nga Çecenia. Autori Islam Elsanov ka ardhur në Berlin për të folur me kolegët e tij rusë. Citat: kemi folur rreth brutalitetit të ushtrisë ruse, gjenocidit të ushtruar kundër çeçenëve. Njerëzit zhduken, dërgohen në burgje pa proces. Jeta publike në Çeçeni është përtokë, nuk marrim thuasje asnjë informacion mbi gjendjen“ fundi i citatit.
Për këtë klubi PEN do të miratojë tani një rezolutë me mbështetjen ruse. Në planin politik më shumë nuk është e mundur të bëhet. Por edhe hartimi një rezolute është i vështirë në gjirin e shkrimtarëve për paqe. Prej vitesh takohen këtu përfaqësues palestinezë dhe izraelitë personalisht, por sapo bëhet fjalë për hapa politikë gjërat komplikohen. Hanan Avad presidente e PEN-it palestinez thotë se bisedat janë të pakuptimta përsa kohë disa të deleguar izraelitë thjesht nuk pranojnë se ka pushtim të territoreve palestineze.