Forumi i Ujit Stamboll
17 Mars 2009Ndarja e ujit në glob është e pabarabartë
Të gjithë e kanë të qartë, që uji i pakët duhet ruajtur. Kjo për faktin, se rezervat e ujit të pijshëm në Tokë janë të rrezikuara, nga shfrytëzimi në mënyrë disproporcionale dhe nga teknikat e gabuara të ujitjes si dhe nga shpërdorimi i tij, kryesisht prej vendeve perëndimore. Konsumi vjetor për frymë në SHBA dhe në Evropë me mbi 10.000 metra kub është p.sh. shtatë herë më i lartë se në Siri, e cila konsumon 1450 metra kub për frymë në vit. Se sa e pabarabartë është ndarja e ujit në glob, e thekson edhe Sekretari i Përgjithshëm i Forumit të 5-të për Ujin, prof. Oktay Tabasaran:
"Uji i pijshëm është - parë nga perspektiva globale - një lëndë e rrallë. 2 miliardë njerëz në mbarë botën nuk kanë mundësi të kenë mjaftueshëm ujë të pastër, çdo vit sëmuren 200 milionë njerëz prej ujit të ndotur dhe për fat të keq si rrjedhojë vdesin rreth 2 milionë njerëz."
Si mund të arrihet një mbrojtje më e mirë e burimeve të ujit, kur 70% e ujit të ëmbël është akull?
Edhe pse më shumë se dy të tretat e sipërfaqes së Tokës përbëhen nga uji, 97,5% është ujë i kripur. Pjesa që mbetet me ujë të ëmbël në sasinë 70% është akull në kulmet e poleve.Pjesa tjetër prej 30% është kryesisht lagështira e tokës, ose ndodhet në rezervat nëntokësore.
Në sfondin e rritjes së vazhdueshme të popullsisë, problemi i mungesës së ujit do të rritet gjithnjë e më shumë, për më tepër - gjë që duket mëse qartë në Stamboll - pozicionet se si mund të arrihet një mbrojtje më e mirë e burimeve të ujit dhe si mund të garantohet një shpërndarje më e drejtë e tij janë mjaft kontradiktore.
Mbrojtësit e mjedisit e konsiderojnë forumin një rrugë të gabuar
Kritikët si rrjedhojë kanë organizuar një veprimtari kundër konferencës gjigande, që kushton 17,5 milionë euro. Kritikët konsiderojnë se numri i madh i pjesëmarrësve dhe i veprimtarive të forumit zyrtar janë më tepër pjesë e vështirësive se sa pjesë e zgjidhjes. Ata kritikojnë gjithashtu, se synohet që problemi mbarëbotëror i ujit më shumë të komercializohet në vend se të përballohet. Mbrojtësit e mjedisit e konsiderojnë këtë veprimtari të madhe si një rrugë të gabuar dhe mjaft të kushtueshme.
Autor: Ulrih Pick/ Stamboll/ Vilma Filaj- Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi