Trump paralajmëron Rusinë për “tarifa shumë të ashpra”
15 Korrik 2025Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi Moskën se do të vendosë ndaj Rusisë dhe vendeve që zhvillojnë tregti me Rusinë tarifa "shumë shumë të rënda" tregtare dhe doganore që shkojnë deri në 100%.
Kjo masë është pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Njoftimi i Trumpit erdhi gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Presidenti Trump shprehu zhgënjimin e tij me Rusinë dhe paralajmëroi për pasoja të rënda ekonomike, nëse brenda 50 ditësh nuk do të arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Do të vendosim tarifa dytësore, nëse nuk kemi një marrëveshje brenda 50 ditësh. Kjo është shumë e thjeshtë, dhe ato do të jenë 100%, ja kështu do ta bëjmë", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi e bëri këtë deklaratë ndërsa ishte ulur krah për krah me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Zyrën Ovale. Trump tha: "Unë e përdor tregtinë për shumë gjëra. Por ajo është shumë e mirë edhe për përfundimin e luftërave".
Komentet e Trumpit vijnë në mes të tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
I dërguari special i Uashingtonit në Kiev
Ndërkohë, i dërguari special i Uashingtonit për Ukrainën, Keith Kellogg, mbërriti në Kiev, ku u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski për të diskutuar sigurinë dhe sanksionet kundër Moskës.
Sipas një postimi të Zelenskit në rrjetet sociale ata kishin pasur një bisede "produktive" gjatë së cilës diskutuan për bashkëpunimin dypalëshnë fushën e mbrojtjesdhe për sanksionet ndaj Rusisë
"Diskutuam rrugën drejt paqes dhe çfarë mund të bëjmë praktikisht së bashku për ta sjellë atë sa më afër", shkroi presidenti ukrainas në platformën X.
"Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin e përbashkët dhe prokurimin e armëve mbrojtëse në bashkëpunim me Evropën. Dhe sigurisht sanksione kundër Rusisë dhe atyre që e ndihmojnë atë", shtoi Zelenski.
Ai e falënderoi të dërguarin special Kellogg për vizitën në Ukrainë dhe Trumpinpër dërgimin e "sinjaleve të rëndësishme për mbështetje".
Vizita e Keith Kellogg është parashikuar të zgjasë rreth një javë dhe vjen pas njoftimit të Donald Trumpit se SHBA-të do të dërgojnë sisteme me raketa mbrojtëse kundërajrore Patriot në Ukrainë.