Trojka e Kosovës mblidhet në Berlin
8 Gusht 2007Trojka e Kosovës pritet të takohet këtë javë në një takim, i cili do të pasohet nga një tjetër me Grupin e Kontaktit. Kohët dhe vendet e takimeve nuk bëhen të ditura, por agjensia e lajmeve Rojter njofton se takimi i trojkës pritet të zhvillohet në Berlin, ndërsa ai i trojkës me Grupin e Kontaktit në Londër. Trojka e Kosovës përbëhet nga përfaqësues të SHBA-ve, Rusisë dhe Bashkimit Europian.
Ministria e jashtme gjermane nuk jep detaje mbi takimet. Julia Gross, nga zyra e shtypit të ministrisë së jashtme gjermane i tha Deutsche Welles se nuk mund të japë detaje, as për kohën kur do të mblidhet Trojka e Kosovës, as për kohën kur do të mblidhet grupi i kontaktit. "Të gjithë pjesëmarrësit kanë interes të madh që procesi i ri të fillojë sa më shpejt. Planet janë bërë që përfaqësuesit e Trojkës së Kosovës të takohen këtë javë personalisht dhe pastaj të zhvillojnë një takim me Grupin e Kontaktit. Në përfundim të këtyre takimeve do të zhvillohen vizita në rajon, në Beograd dhe Prishtinë. Por unë nuk mund t`ju them detaje të tjera" tha Gross, zëvendëse e zëdhënësit të shtypit në ministrinë e jashtme në Berlin.