Maqedoni e Veriut: Rreth 59 vetë humbin jetën nga zjarri
16 Mars 2025Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e para të mëngjesit në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut Koçan si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, ku është mbajtur koncert i grupit ADN me rreth 1500 pjesëmarrës. Këtë e ka deklaruar ministri i Punëve të Brendëshme të Maqedonisë së Veriut Pançe Toshkovski
"Në momentin e shpërthimit të fishekzjarreve, lënda piroteknike duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të djegshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t'i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.
Sa i përket përgjegjësisë për aksidentin, ministri ka thënë se disa njerëz "janë ndaluar dhe janë duke u intervistuar, edhe organizatorët e koncertit janë në mesin e më të plagosurve”.
"Me këtë rast, dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë tragjedi”, ka thënë ministri.
Taravari: 18 të hospitalizuar janë në rrezik jete
Mbi 155 persona është raportuar të jenë plagosur , numri më i madh i tyre është transferuar në spitalet e Shkupit. Sipas ministrit të shëndetësisë Arben Taravarii 18 të hostpitalizuar janë në gjendje të rrezikut për jetë. Ai ka thënë se nëpër spitale ka të vdekur që duhet të identifikohen përmes autopsisë.
"Po kujdesemi për të gjithë, po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundshme”, ka thënë Taravari.
Personat që humbën jetën në tragjedinë në diskotekën „Pulse" në Koçan janë nga mosha 14 deri në 24 vjeç, dhe vijnë nga Shkupi, Shtipi, Probishtipi dhe Koçani ka thënë drejtoresha e spitalit të Koçanit Kristina Serafimova.
"Personat e lënduar që ndodhen tek ne, 20 në numër, janë në moshë nga 18 deri në 23 vjeç. Ata kanë plagë të lehta, djegie dhe intoksikim. Kur morëm njoftimin për zjarrin brenda 30 minutash u mobilizua i gjithë stafi i spitalit, të gjitha kujdestaret dhe infermierët ishin në punë dhe filluan të na sillnin pacientët e parë. Kërkuam ndihmë nga ambulancat e spitaleve të tjera nga Velesi dhe Shkupi. Pacientët në gjendje më të rëndë u dërguan në Shtip dhe në Shkup. 70 pacientë janë kontrolluar, kishte edhe persona të vdekur që na i sollën, dhe kishte edhe pacientë që vdiqën në momentin kur i sillnin", ka thënë Serafimova.
Reagimet e para për aksidentin tragjik
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka vizituar spitalin "Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, ku u transportuan disa nga të lënduarit nga zjarri tragjik në diskotekën në Koçan.
Ajo ka vizituar disa nga të plagosurit që po trajtohen në spital. "Unë e di se këta janë njerëz të rinj, të guximshëm. Besoj se shumica prej tyre do të shpëtojnë, mjekët janë këtu. Nuk mund ta kuptoj se si mund të ndodhë kjo”, tha Siljanovska Davkova, e cila shtoi se mjekët janë profesionistë dhe të përgatitur për të përballuar sfidën e madhe të kujdesit ndaj të lënduarve.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian Kaja Kallas ka thënë se është thellësisht e trishtuar nga lajmi për tragjedinë. "Ngushëllime të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. BE-ja ndan dhimbjen me njerëzit e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kallas në X.
Ambasdorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut Angela Aggeler ka thënë se është zemërthyer pas lajmit për viktimat.
"Humbja e kaq shume të rinjve në një komunitet është tragjedi e madhe. I kam ofruar ndihmë kryeministrit dhe të gjitha resurset, si dhe lutem për ata që janë në vuajtje sot”, ka thënë Ageler përmes një postimi në X.