Tiranë: debat mes mazhorancës dhe opozitës për buxhetin suplementar
16 Korrik 2008Shuma prej afër 280 milion dollarësh, të cilën qeveria do ta hedhë për përdorim në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, konsiderohet si një buxhet suplementar i shtetit. Ai është krijuar nga fondet që kanë ardhur nga privatizimet e enteve publike, si dhe nga të ardhurat që janë realizuar nga tatimet dhe doganat.
Aktualisht mënyra se si do të përdoren këto 280 milion dollarë shtesë është kthyer në një debat të flaktë mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës në komisionin e ekonomisë, para se drafti i qeverisë të votohet në seancë plenare. Për ministrin e financave Ridvan Bode buxheti suplementar do të kalojë për mbështetje të projekteve në infrastrukturë, ku pjesën e luanit do ta ketë rruga Durrës- Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën. Bode tha se per mekanizmin e përdorimit të buxhetit shtesë ishte marrë dhe konsulencë nga institucionet ndërkombëtare financiare.
Por opozita kritikon qeverinë se ka mjaft aspekte jo transparente në shifrat e privatizimeve, çka lë vend për abuzime. Arben Malaj, deputet i PS në opozitë kritikoi buxhetin suplementar se aty nuk janë parashikuar fonde për kompensimin e qytetarëve nga rritja drastike e çmimeve, si dhe është anashkaluar sipas tyre dhe sektori i bujqësisë.