Stokolmi nderon, Parisi ndëshkon
13 Tetor 2006Orhan Pamuk është shkrimtari i parë turk që nderohet me çmimin Nobel. Me këtë çmim nderohet një autor, i cili si askush tjetër e përcjell në mënyrë kritike të kaluarën dhe të tashmen e Turqisë dhe nuk ka frikë prej nxjerrjes në dritë të kapitujve të errët të historisë së vendit të tij.
Edhe vetëm fakti që Orhan Pamuk nuk iu përshtat qëndrimit të përgjithshëm dhe nuk i humbi guximi megjithë disa procese gjyqësore dhe kërcënime me vdekje, është i mjaftueshëm që Turqia të gëzohet për nderimin që i bëhet këtij mbrojtësi të mendimit të lirë.
Por ndërsa Akademia mbretërore në Stokholm i bëri Turqisë me vendim e saj një dhuratë të këndshme, në të njëjtën ditë parlamenti francez nxorri një ligj me të cilin penalizohen ata që përgënjeshtrojnë gjenosidin ndaj armenëve në vitet 1915/1916. E në këtë mënyrë lajmi për nderimin e Pamukut me çmimin Nobel humbi në Turqi prej zallamahisë së diskutimeve të zjarrta se ç'masa politike, ekonomike dhe kulturore duhen ndërmarrë ndaj Francës në mënyrë që të shuhet zemërimi në radhët e opinionit të gjërë në Turqi.
Meritat letrare të Orhan Pamukut janë të padiskutueshme. Vendlindja e tij Stambolli, i cili prej mijëra vjetësh ka shërbyer si pikëtakimi mes kuturave dhe civilizimeve tre kontinentesh, e ka motivuar atë që të portretojë anët e mira dhe të këqia të jetës multikulturore dhe multietnike të jetës në Bosfor. Këtë gjë ai e ka bërë aq mirë, sa edhe juria në vlerësimin e saj për nderimin me çmimin Nobel argumenton: "në kërkim të shpirtit melankonik të qytetit të tij të lindjes ai ka gjetur simbole të reja për përplasjen dhe pleksjen e kulturave."
Pamuku është ndër përkrahësit e afrimit të Turqisë me vlerat evropiane dhe anëtarësimin e saj në BE. Ndër meritat e tij është edhe thyerja e tabuve në lidhje me çështjen e gjenocidit ndaj një milionë armenëve apo 30.000 kurdëve dhe hapja e diskutimeve publike për këto probleme.
Sa keq që me vendimin e tij parlamenti francez e turbulloi së tepërmi gëzimin e turqve për nderimin e Pamukut me çmimin nobel. Sepse ndërsa Pamuku lufton në vendin e vet për lirinë e mendimit, pikërisht në vendin ku ka lindur iluminizimi dhe liria e mendimit, duhet të dënohet gjithkush që shpreh një mendim të ndryshëm dhe nuk e pranon gjenocidin ndaj armenëve. Ky ligj, i cili konsiderohet i gabuar edhe prej disa armenëve që jetojnë në Turqi, nuk ka hyrë ende në fuqi dhe të gjitha shpresat janë përqëndruar tek senati dhe tek qeveria franceze. Edhe pse të pakët, edhe në Perëndim ka ekspertë që mendojnë se emërtimi gjenocid është i gabuar, si p.sh. historiani britanik me prejardhje çifute, Bernard Lewis.
Nderimi i Orhanit me çmimin Nobel u bë prej një institucioni, i cili nuk ka nevojë që të bëjë zhurmë për të mbledhur votat e elektoratit. Ky vendim lidhet sa me nderimin që i bëhet një shkrimtari turk aq edhe me pranimin e faktit se në Turqi shumica e shtresave të popullsisë turke kanë orientim demokratik, evropian dhe modern dhe janë pro ndarjes së fesë nga shteti.
Mbajtësi i çmimit Nobel për letërsinë Pamuk mund të ndihmojë gjatë bisedimeve jozyrtare armeno-turke për qartësimin e së kaluarës së përbashkët dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore. Ankaraja do të bënte mirë që ta shfrytëzojë nderimin e Pamukut me çmimin Nobel për të përfituar energji pozitive dhe të verbohet prej zemërimit ndaj Francës.