Snowden: SHBA zhvillon spiunazhin ekonomik
27 Janar 2014Ishte intervista e parë e zbuluesit amerikan, ish-punonjësit të shërbimit sekret amerikan, Edward Snowden dhënë për televizionin publik gjerman, ARD që nga koha e largimit nga Shtetet e Bashkuara. Intervista u krye në kushtet e konspiracionit të plotë në Moskë. Hubert Seipel, gazetarit gjerman që e zhvilloi intervistën, iu deshën gjashtë muaj ta përgatiste atë. Kontakti me Snowdenin duhej të kryhej përmes një komunikimi të koduar, tha gazetari. Vetë Snowden trembej nganjëherë për atë që thoshte, sepse azili i tij në Rusi, ka si bazë mosagjitimin.
Në bisedë me gazetarin e NDR, Hubert Seipel; Edward Snowden përforcon besimin se bërja publike e skandalit të NSA-së i ka shërbyer opinionit publik. "I kam shërbyer publikut", ka thënë zbuluesi amerikan. Publiku duhet ta dijë se çfarë bën një qeveri në emër të tij - dhe"çfarë bën një qeveri kundër publikut".
Shërbim për publikun
Pikërisht në këtë shërbim ndaj publikut, Snowden mbështet edhe optimizmin e tij se "do të ishte e vështirë të vazhdojë një fushatë kundër një njeriu, për të cilin në opinion sundon kryesisht mendimi se ai punon për të mirën e përbashkët." Gjendja e skandalzbuluesit amerikan është e vështirë. Në Rusi ai ka azil deri në gusht, nga ana tjetër Snowden kërkohet nga pala amerikane. Sinjalet e fundit të SHBA-së për të biseduar me të ai i ka përshëndetur. Sipas Snowdenit "ai është i gatshëm të bisedojë për ta zgjidhur këtë çështje në një mënyrë të kënaqshme për të gjitha palët."
Snowden i trembet një procesi në SHBA. Kërkesës së presidentit amerikan, Barack Obama për të dalë para drejtësisë amerikane, Snowden iu përgjigj se ligji i spiunazhit nga viti 1918 ia ndalon atij të mbrohet para një gjykate civile. "Është për t'u theksuar se presidenti thotë që unë të dalë para një gjykatë, kur ai vetë e di, se një proces i tillë është thjesht një shou." Lidhur me materialet që ai ka marrë me vete, rreth 1,7 milionë dokumente, Snowden u përgjigj se materialet me përmbajtje të rëndësishme ai ia ka dorëzuar gazetarëve të përzgjedhur, dhe me këtë i ka dorëzuar ata në duart e publikut. Ai nuk ka asnjë ndikim për botimin e mundshëm të tyre, është shprehur Snowden.
Bashkëpunim i ngushtë mes NSA-së dhe BND
Në intervistë me ARD-n Snowden e cilësoi bashkëpunimin mes shërbimit sekret kombëtar amerikan, NSA dhe shërbimit informativ gjerman, BND si "të ngushtë". Ata jo vetëm shkëmbejnë informacione, por ndajnë edhe instrumente dhe infrastrukturën. "Ata punojnë së bashku kundër personave të caktuar, dhe këtu ka rrezik". Ish-punonjësi i NSA-së, tha se nuk mund ta thotë se BND jep të dhëna të qytetarëve gjermanë me vetëdije dhe drejtpërdrejt, por e sigurtë është që të dhëna gjermane ndodhen në duart e NSA. Snowden pohoi se edhe celulari i kancelares Merkel është përgjuar, dhe ai mendon se ka pak gjasa që Merkel të jetë qeveritarja e vetme që është përgjuar, apo personaliteti i vetëm gjerman.
SHBA bën spiunazh ekonomik
Figura qendrore e skandalit të NSA-së theksoi bindjen e tij, se Shtetet e Bashkuara përgjojnë firmat e huaja. Sipas mendimit të tij këtu nuk ka vend për dyshim. Shërbimet sekrete amerikane nuk përgjojnë vetëm personalitete dhe qytetarë të tjerë. "Por kur ka informacione tek Siemens për shembull, që janë në interes kombëtar të Shteteve të Bashkuara, por që nuk kanë të bëjnë aspak me sigurinë kombëtare, ata i shtijnë në dorë këto informacione", tha ai.
Para pak ditësh një zëdhënëse e NSA-së pohoi se shërbimi sekret nuk është përfshirë në spiunazh ekonomik. Ky reagim erdhi pas publikimeve të "New York Times" se "shërbimi sekret përgatit kompjuterat me përgjues me valë transmentuese." Politikanët gjermanë më parë kanë kërkuar që marrëveshja e mospërgjimit "No Spy" të ketë brenda heqjen dorë nga spiunazhi ekonomik.
Nëpunës të qeverisë duan të më eliminojnë
Në intervistë Edward Snowden raportoi se ka pasur kërcënime të qarta kundër tij. "Nëpunës të qeverisë duan të më eliminojnë", tha ai. Si provë për këtë, ai nxori një artikull të një platforme interneti "buzzfeed". Njerëz të Pentagonit dhe të NSA-së i kishin rrëfyer reporterit se ata duan ta heqin qafe Snowdenin. "Këta njerëz, dhe ata janë nëpunës të qeverisë duan të ma fusin me plumb, apo të më helmojnë, kur të dalë nga supermarketi, për të parë pastaj se si unë mbaroj në dush."