Sipërmarrje familjare
11 Maj 2012Eurozona nuk po gjen qetësi. Spanja vlon, në Greqi situata pas zgjedhjeve është thuajse kaotike. Kriza e borxheve shtetërore është ashpërsuar përsëri dhe kjo ndihet edhe në tregjet e kapitalit. Ekonomia gjermane duket se nuk është aspak e prekur nga këto zhvillime. Veçanërisht mirë duket se i kanë punët sipërmarrjet gjermane nën drejtim familjar.
Sipërmarrjet familjare rol të madh makroekonomik në Gjermani
Në Gjermani ka rreth 3,7 milionë sipërmarrje. 95 për e qind e tyre janë nën pronësi familjare ose drejtohen në masë të madhe nga një familje. Nga aspekti ekonomik veçanërisht interesante janë në radhën e sipërmarrjeve familjare ato shumë të mëdha - këto janë sipërmarrje që bëjnë një xhiro më të madhe se 50 milionë euro në vit. Ndër to bëjnë pjeë për shembull emra të njohur si BMW, Miele, Dr. Oetker dhe Bahlsen. Sipërmarrjet e mëdha familjare luajnë një rol të spikatur në ekonominë gjermane, shpjegon Frank Wallau nga Instituti për Studime të firmave të mesme: "Krahasuar me numrin e të gjitha sipërmarrjeve në Gjermani këto përbëjnë vetëm 0,1 për qind të tyre. Por nga aspekti makroekonomik ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Rreth një në pesë euro në Gjermani xhirohet prej tyre dhe një në shtatë të punësuar në Gjermani punon për një sipërmarrje të madhe me drejtim familjar."
Prej vitesh instituti i Bonit analizon një herë në vit me porosi të Deutsche Bank dhe të shoqatës federale të industrisë gjermane situatën e 400 sipërmarrjeve më të mëdha në Gjermani.
Përparësi në konkurrencë falë përshtatjes me kërkesat e tregut
Sipas sondazheve aktuale rreth rreth tre të katërtat e shefave të anketuar të firmave e vlerësojnë situatën e tyre ekonomike si të mirë ose shumë të mirë. Rreth gjysma e sipërmarrjeve dëshëron të investojë më shumë dhe të krijojë vende të reja pune. Shembull për këtë zhvillim është Arndt G. Kirchhoff i cili me koncernin e tij prodhon pjesë makinash, vegla, makina për mbledhjen e mebturinave dhe pjesë adaptuese për makina për njerëzit me të aftësi të kufizuara.
"Fuqia jonë është lidhja me vendin, një orientim afatgjatë i biznesit dhe hierarki relativisht horizontale. Perspektiva afatgjatë ka përparësi ndaj synimit për fitim afatsgkurtër. Në periudhë afatgjatë ne synojmë t'ua kalojmë sipërmarrjet tona brezit të ardhshëm dhe nuk shpërndajmë dividentë në masë të madhe. Orientimi afatgjatë i biznesit nxit natyrisht edhe inovacionet. Ne kemi gjithnjë kujdes që të mos humbasim në asnjë mënyrë produktin e brezit të ardhshëm dhe duke qenë se shpejtësia e tregut është shumë e madhe ne na duhet të përshtatemi vazhdimisht", thotë Kirchhoff.
Nëntë nga dhjetë sipërmarrjet më të mëdha familjare gjermane bën biznes jashtë vendit. Klientët e tyre më të mirë janë si dhe më parë në Evropë, para së gjithash në Francë, pasuar nga Kina, SHBA dhe Rusia.
Kriza në Eurozonë burim rreziku
Sipërmarrësi Kirchhoff, thotë se e vëzhgon me shqetësim në rritje situatën në vendet e krizës në Eurozonë në jug të Evropës. Nëse bankat në Spanjë nuk do të kreditojnë më ekonominë, atëherë klientët e tij atje nuk do të jenë në gjendje të paguajnë dhe furnitorët do ta kenë keq punën. Në Greqi kjo tashmë ka ndodhur. Atje bëhet fjalë ndërkohë për shumë më tepër, pikërisht për mbetjen e vendit në Eurozonë. Kjo ka shfaqur tashmë pasoja, thotë Jürgen Fitschen nga Deutsche Bank.
"Këtë pyetje e bëjnë dhe sipërmarrjet familjare gjermane dhe nuk mbeten me pyetje por edhe veprojnë. Thënë më thjesht, ato përpiqen të tërheqin të gjitha mjetet likuide nga këto vende, pasi kështu duan të minimizojnë rrezikun e tyre në rast se në Greqi rikthehet dhramia. Pyetja interesante është se çfarë kursi do të kishte atëherë dhramia dhe se si do t'i rimarrin firmat eurot e tyre që i kanë ende në Greqi. Edhe kushtet e kontratave do të ndryshojnë dhe në to do të përcaktohet që shlyerja duhet të bëhet patjetër në euro."
Për këtë arsye sipërmarrjet familjare gjermane nuk do të dalin krejt të padëmtuara nga kriza, mendon Fitschen. Megjithatë dy të tretat e këtyre firmave presin ta ruajnë kuotën aktuale të eksporteve gjatë këtij viti, megjithë problemet në tregjet evropiane. Rreth një e treta sipas anketimit pret madje rritje të eksporteve gjatë 2012-s.