Si realizohet integrimi i të huajve në SHBA?
12 Korrik 2007Latinët vijnë nga të gjitha vendet e Amerikës Latine dhe nuk kanë patjetër shumë gjera të përbashkëta me njëri-tjetrin, vetem se flasin spanjisht. Ata thirren të gjithë hispanos, apo latinos. Më shumë se gjysma e të gjithë emigrantëve në SHBA në 40 vitet e fundit vijnë nga Amerika Latine. Këtyre u shtohen 24 milionët nga brezi i dytë dhe i tretë, që kanë lindur në SHBA. Si realizohet integrimi i të huajve në Amerikë? A është vendi i emigracionit me të vërtetë një vend integracioni?
Saul Solorzano ka ardhur në rininë e tij në vitet 80-ta në SHBA. "Unë ika nga një diktaturë ushtarake, në të cilën të drejtat e njeriut shkeleshin. Të ishe i ri atje në atë kohë ishte gati krim." Solorzano u arratis prej luftës civile në El Salvador dhe shkoi në shkollë në Los Angeles, si çdo i ri tjetër i moshës së tij: "Ishte ndryshim shumë i madh të vije në SHBA, të kishe gjithë këto liri dhe të mos kishte frikë, se të kapnin dhe të vrisnin. Anglisht kam mësuar pjesërisht vetë, duhej ta rregulloja disi, që t´ia dilja mbanë me shkollën dhe që të gjeja punë." Saul punon te "Caceren". Kjo është një organizatë, që u ndihmon spanjishtfolësve me formalitete të ndryshme.
Institucione të tilla ka disa në SHBA dhe emigrantët i shfrytëzojnë ato. Latinos, janë pas të bardhëve grupi i dytë etnik në SHBA edhe para afroamerikanëve. Në 15 vitet e fundit ata janë shpërndarë në të gjithë vendin, kanë shkuar edhe në qytete të vogla dhe në fshat. Vendasit nuk kanë qenë gjithnjë të kënaqur.
Latinos nuk mësojnë anglisht
Kjo është një nga akuzat kryesore. Në zyra të gjitha informacionet janë edhe në spanjisht, në çdo qoshe ka gazeta spanjolle dhe stacione televizive në spanjisht. Gabriel Escobar i institutit PEW, i cili studjon jetën e hispanikëve në SHBA, thotë: "Kur i pyet hispanikët, a është është e rëndësishme të mësojnë anglisht, kanë vetem një mendim. Më shumë se 90 përqind thonë po. Duhet mësuar anglisht, që të bëjmë hapa përpara. Pra njerëzit nuk i rezistojnë gjuhës, përkundrazi. Ata janë të bindur, se ajo është çelësi i suksesit."
Kurset mungojnë
Por vetëm se mungojnë kurset. Për kurset e gjuhës angleze duhet të presesh gjatë në listë. Mësimi i anglishtes është a-ja dhe o-ja, kur është fjala për integrimin. Sepse sa më mirë të flasë anglisht një latino, aq më mirë i përgjigjet ai popullsisë amerikane. "Njerëzit që flasin anglisht kanë prirjen të mendojnë si popullsia amerikane, përshembull për temat si aborti dhe homoseksualiteti, apo çështje të tjera sociale. Nëqoftëse i krahason hispanikët me njohuritë gjuhësore spanjolle me ato me angleze, që kanë lindur këtu, ka një ndryshim të madh. Hispaniket e lindur jashtë shteti janë më shumë konservatorë, të lindurit ketu jo dhe aq."
Një gjë është e qartë. Sa më gjatë të jetojnë hispaniket në SHBA, aq më mirë janë të integruar. Por gjithnjë vijnë të rinj që nuk flasin asnjë fjalë anglisht, kështu te shumë amerikanë krijohet përshtypja, se një grup i tërë etnik nuk do që të përshtatet. Dhe kjo dëmton latinot, që i kanë SHBA-të më shumë se sa Amerikën Latine si shtëpinë e tyre.
Emigrantët besojnë në ëndrrën amerikane
Kështu mendon edhe Sauli, i cili shkon ndonjë herë në vendlindjen e tij el Salvador, por që nuk do të jetojnë më atje. "SHBA kanë fat të madh, sepse shumë emigrantë besojnë në ëndrrën amerikane dhe në vlerat e kësaj shoqërie. Shumë emigrantë vijnë për të ndërtuar diçka, ata duan të jenë pjesë e këtij vendi. Nuk e di, nëse është kështu edhe në vende të tjera."