Mediet sociale- mjekësia
22 Tetor 2013Wanda Phelloner nga Zambia ishte gjashtë vjeç, kur i hipi një temperaturë e lartë.
"Kisha malarje. M'u desh të shkoja në spital, kisha nevojë për kujdes mjekësor. Por ata nuk i kishin medikamentet e duhura. "
Sot ajo është mirë me shëndet - por në shumë vende të Afrikës, edhe sëmundje të njohura dhe të shërueshme si malarja mbeten shpesh të pakuruara. Vërtet që ka medikamente, por për njerëzit që kanë nevojë për to, ato medikamente nuk janë në dispozicion - sepse farmacitë ose institucionet shëndetësore në rajon nuk i kanë në dispozicion. Në verë 2009, shumë organizata joqeveritare afrikane nisën një fushatë, me synimin për të protokolluar mungesa të tilla për medikamente veçanërisht të rëndësishme. Rezultati: brenda pesë ditësh në Kenia, Malavi, Uganda dhe Zambia u konstatuan më shumë se 250 mungesa të tilla. Ndihmës vullnetarë u interesuan në vend për rezervat e këtyre medikamenteve dhe rezultatin ia njoftuan me sms organizatorëve të platformës "stopstockouts.org". Në këtë platformë, në bazë të të dhënave u krijua një hartë, e cila tregon se në cilat vende dhe në cilat sasi gjenden medikamente të caktuara - hartë që është në dispozicion të të gjithëve:
"Para aksionit, nga qeveria shpesh dëgjonim se nuk ka mungesa e vështirësi furnizimi. Por pastaj ne i konfrontuam ata me të gjitha faktet. Pastaj nisën biseda për shkaqet e vështirësive të furnizmit; ka probleme me furnizimin apo me shpërndarjen? Aktorët tani mund të flasin shumë më konkretisht me qeveritë."
Daudi Were punon në Nairobi për firmën Ushahidi - ai është njëri nga programuesit e programit kompjuterik ku bazohet stopstockout.org. Parimi: mbledhje informacioni nga shumë burime, "Crowdmapping":
"Ne duam ta organizojmë rrjedhën e informacionit. Kjo ka rëndësi pikërisht për shëndetin publik - sepse janë njerëzit në vend që e dinë, p.sh. se ku nuk ka medikamente. Dhe kur qeveria ka mundësi të shfrytëzojë informacione të tilla, atëherë shpërndarja mund të organizohet në mënyrë më efikase. Ose kur plas diku epidemi: kur ke një mjet, me të cilin i mbledh informacionet në nivel kombëtar, atëherë kjo u jep autoriteteve një pamje më të saktë për atë që ndodh në zona të caktuara."
Platformat sociale mbështesin
Pas tërmetit të 2010-ës në Haiti, një platformë mbi bazën e programit kompjuterik të Ushahidit ofroi një tabllo për faktin se cilat ndihma nevojiteshin në zona të caktuara - të mbledhur nga më shumë se 40.000 njoftime të personave të prekur në vend. Pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011, faqja e Crowdmapping sinsai.info informoi ndër të tjera për shkallën e rrezatimit në rajon - edhe autoritetet dhe ambasadat tërheqin vëmendjen për këtë faqe në internet. Edhe Josephj Tucker, profesor në universitetin North Carolina School of Medicine dhe specialist për sëmundjet infektive merr në konsideratë dijet e masave. Në Guangzhou në jug të Kinës, ai kujdeset për një platformë interneti, e cila sqaron për sëmundjet seksuale si Sida dhe që u drejtohet veçanërisht meshkujve homoseksualë.
"Meshkujt homoseksualë në Kinë dhe kudo në botë janë veçanërisht të rrezikuar, përsa i përket sëmundjeve ngjitëse si Sida ose sifilisi. Por ata nuk bëjnë rregullisht analiza. Për të arritur te këto grupe të rrezikuara neve na nevojiten rrugë, që janë të pranueshme për ta. Mediat sociale, për shëmbull, janë shumë mirë të përshtatshme për të konstatuar si preferojnë ata që të testohen dhe ku - mediat sociale na ndihmojnë që t'i nxisim më shumë nga këta meshkuj për teste HIV."
Në bazë të anketimeve, 75 përqind e njerëzve që kanë lindur në fillim të mijëvjeçarit i përdor mediet sociale, një e treta e tyre kontrollon disa herë në ditë lajmet në Facebook, Twitter ose në rrjete të tjera. "Shëndeti" dhe koncepte të ngjashme më këtë bëjnë pjesë në fjalët më të kërkuara në robotët e kërkimit.