Shutdown në Uashington nga mosmarrëveshjet partiake
1 Tetor 2013Në SHBA ka përfunduar afati për arritjen e një marrëveshjeje të një projektligji për buxhetin qeveritar mes demokratëve të presidentit Barack Obama dhe republikanëve opozitarë. Kjo situatë ka krijuar një gjendje kritike për administratën qeveritare, sepse qeveria në Uashington nuk ka më para. Zyra e presidentit urdhëroi tashmë mbylljen e disa institucioneve të administratës. Qindra mijëra punonjës shtetërorë duhet tani të ndërpresin punën dhe të marrin një pushim të detyruar të papaguar.Përjashtimet bëhen vetëm për disa punonjës të disa fushave si ata të sigurisë, për disa ushtarë, rojet e burgjeve, mjekë dhe infermierë. Lidhur me mosmarrëveshjet për buxhetin të dyja partitët bllokojnë njëra-tjetrën, pasi republikanët kanë në Dhomën e Përfaqësuesve shumicën, ndërsa demokratët kanë shumicën në Senat.
Republikanët duan një shtyrje të zbatimit të ligjit për shpenzimet qeveritare në kuadër të reformave shëndetësore të presidentit Obama. Kjo parti ka vendosur të bllokojë çdo financim, duke propozuar një lëvizje të lirë të fondeve, me një kusht që kjo reformë të hynte në fuqi pas një viti. Megjithë apelet e Obamës, republikanët nuk bënë asnjë hap prapa nga pozicioni i tyre fillestar. Të hënën (30.09) të dyja dhomat e Kongresit nuk arritën të bien dakord për këtë projektligj deri në afatin e 1 tetorit. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi tre herë këtë projektligj, por në të tre rastet, Senati e hodhi poshtë atë. Ngërçi politik mes dy dhomave të Kongresit nënkupton edhe mbylljen e menjëhershme të të gjitha shërbimeve me përjashtim të atyre thelbësore. Kjo situatë është një goditje e fortë për ekonominë e SHBA-së. Presidenti Obama tha se mbyllja e institucioneve të qeverisë është një përgjegjësi e madhe dhe pengon rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.