Shutdown-i nuk paralizon politikën e jashtme të SHBA
10 Tetor 2013
Në një nga fotografitë në grup të samitit të APEC-ut, që sapo përfundoi në Indonezi, John Kerry qëndron pak si i përhumbur, në rreshtin e dytë fare mënjanë. Ndërsa presidenti kinez dhe ai rus si krejt natyrshëm janë vendosur në qendër në rreshtin e parë. Ministri i Jashtëm amerikan në samitin e krerëve të shtetit u desh të kënaqej nga ana protokollare me një rol mënjanë. Fundja Kerry shkoi atje vetëm për shkak se presidenti Barak Obama e anulloi papritur udhëtimin e tij në Azi dhe preferoi të qëndrojë në Uashington gjatë krizës buxhetore.
Që tashmë Kerry përfaqëson SHBA në vend të Obamës, është shenja më e dukshme se në Uashington që nga 1 tetori nuk vlen më "business as usual" për shkak se pjesë të mëdha të qeverisë amerikane dhe të aparatit administrativ u paralizuan nga i ashtuquajturi shutdwon. Dhe megjithatë pasojat për politikën e jashtme amerikane dhe atë sigurisë janë të pakta.
Samit pa rezultat
Edhe pse kryeministri malajzian u ankua për mungesën e Obamës në takimin e APEC-ut, duke thënë se presidenti amerikan ka humbur një mundësi të shkëlqyer për të bërë të qartë pretrendimin për lidershipin rajonal, mungesa e Obamës me përjashtim të fotove në grup mbeti në fakt pa pasoja. Sepse rezultate konkrete nuk pati gjithsesi në samitin e APEC-ut.
"Unë mendoj se pasojat janë më shumë simbolike se praktike, të paktën për një periudhë afatshkurtër", thotë Matthew Baum, profesor për komunikimin global dhe politikat publike në universitetin e Harvardit. "Duket sikur SHBA nuk e mbajnë dot në rregull shtëpinë e tyre dhe kjo ka si pasojë, që krijohet përshtypja se vendi nuk është në gjendje për të përmbushur përgjegjësitë e tij si udhëheqës global".
Kjo përshtypje përforcohet edhe nga dy efektet e tjera të dukshme të shutdownit në politikën e jashtme dhe të sigurisë të SHBA. Nga refuzimet e raundit të ardhshëm të negociatave mbi një marrëveshje tregtare transatlantike ( TTIP ) dhe manovrat e planifikuara ushtarake me Japoninë. Por edhe këtu simbolika është më e fuqishme se realiteti. Negociatat TTIP vetëm shtyhen, ato nuk anulohen. Dhe stërvitja e anulluar ushtarake japonezo-amerikane me rreth 1.000 ushtarë ishte gjithsesi një trajnim i vogël ushtarak dhe jo një stërvitje e madhe. Shpenzimet dhe detyrat e mëdha të mbrojtjes, si Afganistani, janë të përjashtuara nga bllokada buxhetore.
Ndihmat amerikane për zhvillimin financohen në periudha afatgjata
"Politika e jashtme e SHBA vazhdon", thotë Baum. "Ambasadat nuk janë mbyllur dhe punonjësit e konsullatave vazhdojnë të punojnë. Por sigurisht ka ndikime, për shembull mund të shkaktohen vonesa për pasaportat, apo për aplikimet për emigrim në Shtetet e Bashkuara."
Edhe ndihma amerikane për zhvillimin dhe ajo ushtarake nuk është prekur deri tani thuajse aspak. Kështu agjencia amerikane e zhvillimit USAID megjithë shutdown-in mund ta paguajë pjesën më të madhe të programeve të saj. Meqë financimi i shumicës së programeve planifikohet për disa vjet, ata nuk preken thuajse aspak nga shutdwon-i, shkruan "New York Times". Vetëm nëse kriza e buxhetit do të vazhdojë më gjatë, do të preken programet e zhvillimit.
E njëjta gjë mund të thuhet për pagesat e shumta të ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Kështu në buxhetin 2014 për Izraelin janë parashikuar ndihma ushtarake 3,1 miliardë dollarë amerikanë dhe për Egjiptin 1,3 miliardë dollarë. Nëse kriza e buxhetit do të vazhdojë, këto fonde nuk mund të paguhen. Por në rastin e Egjiptit edhe pa krizën buxhetore është e paqartë, nëse fondet nga Uashingtoni do të vazhdojnë të rrjedhin. Edhe në vitin e kaluar financiar ndihma ushtarake nuk u transferua tërësisht për shkak të trazirave politike. Që nga grushti ushtarak i shtetit kundër presidentit egjiptian Mursi mbështetja për ushtrinë në përgjithësi është në provë.
Data e fundit 17 tetori
Në krahasim me pasojat, që mund të sjellë një dështimi i ngritjes së tavanit të borxhit amerikan nga Kongresi, që nevojitet të bëhet me 17 tetor, pasojat e grindjes për buxhetin duken si një stuhi në miniaturë. "Kjo do të kishte pasoja dramatike", tha Heinz Gärtner, ekspert amerikan në Institutin austriak për Politikën Ndërkombëtare në Vjenë. "Sepse atëherë shteti nuk mund të thithë më kredi dhe pastaj do të ketë edhe konsekuenca për politikën e sanksioneve, për politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe për marrëveshjen e tregtisë së lirë."
Nëse SHBA më 17 tetor do të rrëshqasin me të vërtetë në një krizë të dyfishtë të buxhetit dhe të shpenzimeve, kjo mund të ketë pasoja të pallogaritshme jo vetëm për SHBA, por për botën. Nëse realizohen parashikimet më të keqija, kjo do të ishte shumë keq për Shtetet e Bashkuara, si për politikën e brendshme apo të jashtme të vendit, thotë profesori i Harvardit Baum. Për shkak se dështimi i rritjes së kufirit të borxhit do ta shkatërronte ekonominë e SHBA dhe ekonominë botërore.
"Megjithatë momentalisht këto janë të gjitha ende spekulime, sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë."