Shpëtimtarët e zemrës në Berlin-Wedding
27 Qershor 2011E vogël, e zezë dhe thuajse e padukshme është çanta e dorës mbi supin e Volfgang Festas. Nëse nuk do ta mbante ai do të vdiste. Çanta përmban pjesët jashtë trupit të një zemre artificiale, e cila iu implantua ish-oficerit të Bundesverit (ushtria gjermane) tre vjet më parë në Qendrën Gjermane të Kardiologjisë në Berlin. Një aparat i telekomanduar me dy bateri. Një kabllo zhduket nën trikon e Festas.
"Kjo futet brenda në trup", shpjegon 65-vjeçari. "Brenda ndodhet një pompë e cila merr përsipër qarkullimin e gjakut dhe i jep mbështetje zemrës." Një bateri mjafton për katër orë e gjysmë, me dy bateri Festa mund të përballojë ditën. "Mësohesh! Në fund të fundit gratë mbajnë gjithnjë me vete një çantë dore", thotë ai.
Volfgang Festa është një nga 1700 pacientët, të cilëve iu është implantuar një zemër artificiale apo një pompë ndihmëse për zemrën në Qendrën Gjermane të Kardiologjisë në Berlin, 23 vitet e fundit. Askund në botë nuk janë implantuar më shumë pompa artificiale thotë Roland Hetzer, drejtori mjekësor i strukturës. Dhe askund tjetër nuk është kaq e pasur përvoja me sisteme ndihmëse dhe zëvendësuese për zemrën, përvojë mes brezave, me teknologji dhe prodhues të ndryshëm.
Zemrën e parë artificiale Prof. Hetzer e ka implantuar që në vitin 1987, plot një vit pas hapjes së Qendrës së Kardiologjisë. "Fillimisht bëhej fjalë për t'i mbajtur pacientët në jetë, derisa të gjendej një dhurues organesh. Por më pas konstatova se metoda funksiononte! Pra që në këtë mënyrë pacientët mund të mbaheshin në jetë muaj me radhë."
Zemrat artificiale si alternativë ndaj transplantimit
Në vitin 2005 Qendra e Kardiologjisë festoi pacientin e parë në të gjithë botën, i cili jetonte prej plot 1.000 ditësh me një zemër artificiale. Ndërkohë ka pacientë tek të cilët pompat artificiale kanë një jetëgjatësi deri në tetë vjet. Kur ka shenja amortizimi ekziston mundësia e implantimit të një zemre të re artificiale.
Veç kësaj brenda një kohe të shkurtër do të jenë të disponueshëm sisteme më të vegjël dhe eficientë, të cilët tregojnë më pak shenja amortizimi, kanë nevojë për më pak energji dhe funksionojnë pa kabllo. Zemrat artificiale pra do të përdoren gjithnjë e më shumë për shfrytëzim afatgjatë, si një alternativë ndaj transplantit të një organi të dhuruar.
"Koncepti fillestar për përdorimin e zemrës artificiale deri në gjetjen e një organi të dhuruar për transplant, po humbet rëndësinë", thotë Prof. Roland Hetzer. "Nga njëra anë ne e dimë se pompat funksionojnë për kohë afatgjatë. Nga ana tjetër shanset që një pacient të gjejë një zemër për transplant janë shumë të vogla. Nuk kemi mundësi ta mbulojmë kërkesën."
Sukses edhe me pacientët fëmijë
Në vitin 1990 Roland Hetzer dhe kolegët e tij ishin të parët në botë që arritën të vendosin me sukses një zemër artificiale në një pacient fëmijë, një model i firmës "Berlin Heart". Në themelimin e firmës Qendra e Kardiologjisë në Berlin ka luajtur rol të rëndësishëm, dhe mes tyre ka pasur qysh në fillim bashkëpunim të ngushtë. "Firma jeton me pompat e zemrës për fëmijë. Për fëmijët dhe foshnjet në të gjithë botën nuk ka asgjë të krahasueshme, madje as në SHBA", thotë Roland Hetzer.
Kur diku në botë një pacienti fëmijë i implantohet një pompë zemre e firmës "Berlin Heart", shpesh thirren edhe kardioteknikët dhe kardiokirurgët e Qendrës së Kardiologjisë së Berlinit. Për suksesin e operacioneve shumë komplekse, si implantimi i një zemre artificiale tek fëmijët apo foshnjet, është vendimtar një bashkëpunim i ngushtë mes kirurgëve, kardiologëve dhe anestezistëve. Ky bashkëpunim është zhvilluar prej vitesh në Qendrën e Kardiologjisë në Berlin.
Bashkëpunim ndërkombëtar dhe oferta trainimi për specialistët e kardiologjisë
Rregullisht në qendër zhvillohen trainime ndërkombëtare për specialistët e zemrave artificiale, si për kirurgjinë e fëmijëve ashtu edhe të të rriturve. Çdo muaj ofrohet një kurs në gjuhë gjermane dhe angleze për të interesuarit, në të cilin ofrohet trainim për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me implantimin e zemrave artificiale. Veç kësaj qendra bashkëpunon me klinika universitare në Bosnje-Hercegovinë dhe në Rusi.
Volfgang Festa ka përfituar shumë nga përvoja e pasur e qendrës. Ai thotë se dëshiron ta mbajë zemrën e tij artificiale sa më gjatë të jetë e mundur. "Unë ndihem aq mirë sa tani për tani nuk dua të bëj transplant. Unë parimisht mund të bëj gjithçka: të punoj në kopësht, të kosis barin, madje kam marrë pjesë edhe në hedhje me parashutë. Jo vetëm, ishte një hedhje në grup. Por parimisht gjithçka është e mundur:"
Autor: Lydia Heller / E. Xhani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora